Ambasada amerikane në Shkup ka paralajmëruar të enjten qytetarët amerikanë që gjenden në Maqedoni se më 11 dhjetor, të dielën, kur mbahen zgjedhjet parlamentare, të evitojnë tubimet masive, pasi ekziston mundësia e trazirave.
Në ambasadën amerikane, siç raportojnë mediat, thonë se kjo është procedurë standarde.
“Ky është një mesazh i rregullt që jepet ngado nëpër botë dhe është obligim i ambasadës të sigurohet që qytetarët amerikanë të jenë të vetëdijshëm që më 11 dhjetor mbahen zgjedhjet dhe se për këtë mund të ketë tubime masive që përmbajnë rrezik për dhunë”, ka thënë ambasada për portalin “Sakam da kazam”.
Këtë të diel, në Maqedoni mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të cilat duhet t’i japin fund krizës politike, e cila filloi në pranverën e vitit 2014, atëkohë kur opozita hodhi akuza mbi pushtetin për mashtrim në zgjedhje.
Në zgjedhje marrin pjesë pesë koalicione, në mesin e të cilave dy më të mëdhatë janë VMRO-DPMNE dhe koalicioni i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, si dhe gjashtë parti të tjera që marrin pjesë të vetme.
Fushata parazgjedhore e nisur më 21 nëntor, do të marrë fund të premten më 9 dhjetor, në mesnatë kur fillon edhe heshtja zgjedhore. Votimet në gjashtë zonat zgjedhore në Maqedoni do të përcaktojnë fituesit e 120 ulëseve të Parlamentit, ndërsa zona e shtatë, për diasporë mbahet për deri në tre ulëse të Parlamentit.
Në listën e votuesve për këto zgjedhje gjenden 1.784.416 qytetarë që jetojnë në Maqedoni me të drejtë vote, ndërsa 230 122 të tjerë janë në një listë të veçantë pasi vlerësohet se ata janë me punë të përkohshme jashtë shtetit dhe të cilët mund të vendosin se ku duan të votojnë.