Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, arrestimin e ish-ministrit dhe kontrollin e banesës së tij.
Kërkesa e Prokurorisë vjen pas një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 260 të Kodit Penal.
“Prokuroria për Krime të Rënda po zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për një grup kriminal, i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sativa nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ndërkohë burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se janë gati 12 urdhër-arreste për ish-zyrtarë, policë e zyrtarë të lartë shtetërorë si të implikuar në trafikun e drogës Shqipëri-Itali.
Vendimi i Prokurorisë vjen pas dosjes së grupit të organizuar “Habilaj” në Vlorë, të cilët u arrestuan nga policia italiane, pas hetimeve 4-vjeçare. Në përgjimet e policisë italiane, rezulton se të arrestuarit shqiptarë, që janë dhe kushërinjtë e ish-ministrit Saimir Tahiri, pranojnë se bashkëpunojnë me ministrin në trafikun e drogës.
Ata përmendin se ministri është paguar 5 milionë euro në një muaj për mbështetjen që u ka dhënë në trafikun e drogës.
Në konferencën e fundit për shtyp, LSI ka hedhur akuza të forta ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. Vasili tha se Çako duhej të ishte shkarkuar shumë kohë më parë, ashtu si edhe i gjithë sistemi drejtues i Policisë në Elbasan. Përgjimet italiane kanë njollosur policinë, e cila është vënë tërësisht në shërbim të klanit të Habilajve deri në mbushjen e thasësve me drogë në ngarkesat drejt Italisë, sipas përgjimeve.
E.D