Paratë e drogës po pastrohen tek banesat, rritje me 50 euro metri

Çmimet e apartamenteve pritet që të shënojnë një tjetër rritje në janar të vitit të ardhshëm sipas parashikimit të ndërtuesve, të udhëhequra nga shtimi i kërkesës, por edhe reflektimi i rritjes së taksave.
“Ka një rritje të kërkesës për blerjen e apartamenteve muajt e fundit”, pohon për “Monitor”, Hajredin Fratari, ndërtues. Ky shtim i kërkesës, sipas tij, vjen nga gjallërimi i kredisë hipotekore. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë e konfirmojnë këtë tendencë. Gjatë muajve të fundit ka pasur rritje të ndjeshme të kredisë për blerje banesash në monedhën vendase, e nxitur kjo dhe nga rënia e ndjeshme e normave të interesit në lekë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, stoku i huasë për individë për blerje pasurish të paluajtshme ishte gati 46 miliardë lekë në fund të shtatorit, me një rritje prej 8% në raport me dhjetorin 2015. “Zhvillimet pozitive të këtij portofoli janë mbështetur si nga ofertat e bankave për këtë produkt, ashtu edhe nga kërkesa e shtuar e individëve për blerje banesash gjatë kësaj periudhe”, thotë Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të politikës monetare.
Zhvlerësimi i euros ka favorizuar blerjen e apartamenteve në monedhën e përbashkët, kur kredia merret në lekë. Edhe për ata individë që e kanë marrë huanë në euro, këstet janë bërë më të lira, ndonëse individët mbeten gjithnjë të ekspozuar ndaj kursit të këmbimit.
Një tjetër arsye, që sipas Fratarit do të ndikojë në shtrenjtimin e apartamenteve, është rritja e taksave, ku dyfishimi i tarifës së ndikimit në infrastrukturë (për Tiranën nga 4 në 8%) dhe llogaritja e saj në bazë të çmimit të shitjes dhe jo kostos si më parë, është faktori kryesor.
Ai parashikon që çmimet nga janari do të rriten minimumi me 50 euro për metër katror, ndërsa në qendër rritja mund të shkojë edhe 100-120 euro. Rritja pritet të shkojë zinxhir jo vetëm për apartamentet e reja, që do të paguajnë taksa më të shtrenjta, por edhe ato që janë ndërtuar më parë.
Fratari thotë se ka një tendencë që familjet, që rrinë me qira, marrin kredi për të blerë shtëpi, pasi kreditë janë të lira.
Këta muaj duket se janë më të favorshëm për të blerë shtëpi për dy arsye: Së pari, interesat e kredive duket se kanë prekur fundin dhe vitin e ardhshëm pritet një rritje e tyre. Shtrenjtimi, në fakt, ka filluar dhe pritet të vijojë, teksa normat e kredive do të ndjekin ato të bonove të thesarit, që muajin e fundit janë rritur ndjeshëm. Së dyti, çmimet e apartamenteve pritet vetëm të rriten, për arsyet e sipërpërmendura.
Edhe Dritan Caka i agjencisë së pasurive të paluajtshme Dev Inf, pohon se çmimet e apartamenteve janë rritur, por ai shton se kjo ka ardhur si pasojë e shtrenjtimit nga kahu i ofertës si rrjedhojë e taksave më të larta.
Të tjerë sipërmarrës, që nuk pranojnë të identifikohen dhe që ndërtojnë kryesisht në qendër të Tiranës, pohojnë se shtimi i kërkesës ka ardhur dhe nga blerjet me para në dorë, që vlerësohet se janë kryesisht paratë, që vijnë nga tregtimi i hashashit. Këto para do të tentojnë të kanalizohen sidomos në blerjen e pasurive të paluajtshme në zona të preferuara të kryeqytetit, si dhe në bare e lokale. Rritja e çmimeve në këto zona ka filluar tashmë, me rreth 50-100 euro për metër katror.
Banka e Shqipërisë, në indeksin e çmimeve të banesave, ka konstatuar se ka pasur rritje çmimesh gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2016, që ka ndaluar në të tretin. Sipas BSH, në tremujorin e dytë, indeksi i çmimit të banesave u rrit me 5.2%, pas rritjes me 11.3% një tremujor më parë. Por ndërtuesit presin që rritja të rifillojë në muajt e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa të tjerë konfirmojnë se rritja tashmë ka filluar.

Exit mobile version