Megjithë gjendjen financiare të IS-it, problemi i sulmeve terroriste është i madh, sepse ato janë të mundura edhe pa mjete të mëdha financiare. Ajo që dihet është se organizata terroriste IS apo ISIS, ka mjete të mëdha financiare. Qeveria gjermane mendon se kapitali i IS-it shkon në një deri në dy miliardë dollarë. Të ardhurat e terroristëve vijnë nga burime të ndryshme: kontrabanda e naftës dhe objekteve antike, grabitja e bankave, shpronësimi i njerëzve, grabitje dhe marrje peng e deri tek taksat dhe donacionet.
Megjithatë prova të sigurta mungojnë. “Qeveria federale nuk ka asnjë informacion për këtë”, qe në pranverën e vitit 2015 fjalia më e shpeshtë në një raport 16 faqesh si përgjigje e qeverisë gjermane ndaj një katalogu pyetjesh të partisë e Majta në Bundestag.
Varësi e paktë nga jashtë
Ndryshe nga organizata si Al-Kaida, IS-i nuk është një rrjet terrori në vende të ndryshme, por funksionon si një shtet. IS-i kontrollon territore, resurset e atjeshme dhe popullsinë. Për këtë shkak qeveria gjermane beson se IS nuk është shumë i varur prej burimeve financiare ndërkombëtare.
Por të ardhurat nga kontrabanda e naftës po bien për shkak të rënies së çmimit, por edhe për shkak të kontrollit më të mirë të kufirit në Turqi, Irak dhe në territoret e banuara prej kurdëve.
Qeveria gjermane mendonte në vitin 2015 se prej tregtisë së naftës IS-i fitonte maksimalisht 200.000 dollarë në ditë, pra gjashtë milionë në muaj. Por ka edhe vlerësime që mendojnë se këto të ardhura janë më të larta.
Taksa të larta dhe donacione
Një burim tjetër të ardhurash për IS-in janë taksat që mbledh në territoret e pushtuara. Banorët e këtyre zonave duhet të paguajnë 5-15% të të ardhurave të tyre në formë takse, mendon qeveria gjermane. Këtyre u shtohen taksat e veçanta për ata që nuk janë myslimanë, si dhe taksat për energjinë elektrike, ujin, telekomunikacionin dhe transportin.
Qeveria gjermane ka gjithashtu të dhëna, sipas së cilave organizata terroriste “mbështetet me fonde edhe nga financues privatë në vendet e Gjirit Persik. Donacionet mblidhen pjesërisht nën maskën e organizatave humanitare, por shpesh edhe hapur”. Rëndësia e këtyre fondeve për IS megjithatë duhet të ketë rënë.
Numri i trupave
Sa i përket madhësisë së trupave të IS-it ka vlerësime që ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. CIA mendon se në vitin 2014 IS-i kishte 30.000 pjesëtarë. Eksperti amerikan i sigurisë, Daveed Gartenstein-Ross nga Universiteti Georgetown mendon se trupa duhet të ketë rreth 100.000 vetë. Sipas të dhënave të qeverisë gjermane një ushtar i thjeshtë merr 400-500 dollarë në muaj, komandantët më tepër se 3.000. Pra, shpenzimet vetëm për rrogat shkojnë deri në 15 milionë dollarë në muaj.
Megjithë gjendjen financiare të IS-it, problemi i sulmeve terroriste vazhdon të jetë i madh, sepse ato janë të mundura edhe pa mjete të mëdha financiare. Instituti norvegjez për Studimet e Mbrojtjes ka analizuar 40 sulmet më të përgjakshme terroriste në periudhën 1994-2013 në Evropë dhe ka arritur në përfundimin se tre nga katër syresh kushtonin më pak se 10.000 dollarë. Pra, megjithë humbjet ushtarake në Siri dhe Irak aftësia e IS për sulme jashtë vendit, nuk do të pakësohet, mendon shërbimi informativ IHS.