Betonizimi i Tiranës në mënyrë masive filloi pas vitit 2000, kur Edi Rama mori pushtetin. Përgjatë fushatës elektorale ekranet u mbushën me spotin e njeriut që i kërkonte qytetarëve të Tiranës, të provonin atë si administrator, duke i premtuar një qytet më të gjelbërt, me hapësira më shumë për fëmijët e tyre e të tjera si këto… Deri në atë kohë shumë pak ndërtime ishin kryer në Tiranë, por pas ardhjes në krye të Bashkisë të Edi Ramës, qytetarët panë me sytë e tyre se pak nga pak e ditë për ditë gjelbërimi po ja linte vendin betonit. U zhdukën sipërfaqe të tëra gjelbërimi, terrene sportive, oborre shkollash, kinematë. Të gjitha u dhanë për ndërtim klientëve të ish-kryetarit të Bashkisë dhe nga Tirana e dikurshme nuk po mbetej më asgjë. Paraja që prodhohej dhe pastrohej nga ky aktivitet ishte e madhe. Aq e madhe sa në vitin 2009, Rama nuk pranoi të hiqte dorë nga Bashkia, por deklaroi se do të ishte dhe kryeministër dhe kryetar bashkie… E si mund të ndodhte ndryshe. Ai institucion i dha atij Partinë Socialiste, i siguronte lidhjet me krimin e organizuar, me bandat dhe mafian që operonte në fushën e trojeve. Dhe ai e donte sërish atë me çdo lloj forme dhe çdo lloj mjeti. Në zgjedhjet e vitit 2015, atij i duhet në krye të saj një Yes man, lehtësisht i korruptueshëm dhe që mund të fshinte çdo lloj pisllëku që ai do të linte mbrapa. Zgjidhja nuk ishte dhe aq e vështirë e ku do të gjente njeri më të përshtatshëm dhe servil se Erion Veliaj, i njohur për makutërinë e tij që nga koha kur ishte në krye të “Mjaft”….
Betonizimi
Kërcënimi që i bëri Emiljano Shullazi, kandidatit për rektor të atëhershëm Mynyr Koni nuk ishte i rastësishëm. Më 3 qershor të vitit 2015, u organizua një konkurs për masterplanin e Qytetit “Studenti”, ku veç rikonstruksionit të përgjithshëm të godinave një pjesë të rëndësishme zinte dhe fusha e këtij qyteti. Sipas asaj çka u reklamua me bujë nga qeveria dhe Bashkia do të ndërtoheshin godina të reja, salla bibliotekash, fusha futbolli dhe tenisi. Projekti do të kushtonte 23 milionë dollarë dhe do të fillonte në vitin 2015. Por çfarë po ndodh në fakt? Nga një hulumtim që gazeta “RD” ndërmori, rezultoi se aty ku do të ndërtohej ndërtesa qendrore sipas masterplanit, Erion Veliaj ka filluar ndërtimin e një parkimi. Bëhet fjalë për pjesën e fushës përballë Fakultetit Ekonomik. Madje tenderi për ndërtimin e tij është zhvilluar që në gusht të këtij viti, fiks një vit pas masterplanit të organizuar nga Rama. Tenderi ka kushtuar rreth 38 milionë lekë dhe është fituar nga “Kola Invest” SHPK. Ndërkohë që pjesa tjetër, një sipërfaqe prej dhjetëra hektarë rezulton të jetë lënë qëllimisht e braktisur. Fushat që shërbenin për lojëra volejbolli, basketbolli dhe futbolli tashmë janë shkatërruar plotësisht. Ende nuk dihet se përse ka devijuar masterplanin Erion Veliaj, por burime bashkiake shprehen se aty vetëm korpus universitar nuk do të ndërtohet. Toka në fakt është në pronësi të Rektoratit të Tiranës dhe në mars të këtij viti në media u përfol se ishin pikërisht këto hektarë tokë, të cilat çuan dhe në kërcënimin e rektorit Koni nga ana e Emiljano Shullazit, i cili me ardhjen e rilindjes në pushtet, synimi i tij ka qenë kryesisht biznesi imobiliar, por me metodat siç di ai. Emërimi i këshilltares socialiste bashkiake në krye të Rektoratit, do ja lehtësonte punën shumë Erionit për të kryer pisllëkun e radhës me këto troje publike. Dihet që synimet e tij “ekspansioniste” në këtë zonë janë të mëdha, pasi pak pas ardhjes në pushtet ish-protestuesi i djeshëm nuk ngurroi të firmoste një leje ndërtimi në Parkun Kombëtar, përballë Fakultetit Ekonomik. Pak metra më larg vendit ku Tahiri me urdhër të Edi Ramës, hidhnin në erë me dinamit shtëpitë me leje të qytetarëve të Tiranës, duke na ofruar pamje si të ishim vend në konflikt. Kjo bëhej në emër të “të bërit shtet”….
Kulla shumëkatëshe, por jo kampus
Kampus për studentët nuk ka… Do të ketë qendra tregtare apo kulla, por jo kampus. Po ndërhyhet për të ndërtuar një parkim, i cili mesa shihet do ja hapë rrugën kullave shumëkatëshe në Qytetin “Studenti”. Një aferë e pastër me trojet publike që i ofrohet klientëve të qeverisë për t’i ndërtuar dhe më pas fitimi dihet si ndahet. Në rast se dikur Rama mjaftohej me 20 për qindëshin e lejes së ndërtimit, tashmë që ka marrë dhe Kryeministrinë duket se oreksi i është hapur dhe po i kthen trojet publike në private. Ashtu siç ndodhi dhe në rastin e stadiumit kombëtar, ku në truall publik u gjet mënyra që të ngrihej një qendër tregtare. Ashtu siç po veprohet me Sheshin Skënderbej apo me troje të tjera, kryesisht në qendra që në pronësi të tyre kanë dhe anekset sportive. E tillë është hapësira mbrapa stadiumit “Selman Stërmasi”, ku dhe aty Erioni e filloi me parkim, por ka lënë të hapur mundësinë për pjesën e fushës së futbollit, që enkas e ka lënë në degradim e sipër. Dhe aty fjalët janë se do të përdoret për një tjetër megaaferë me trojet shtetërore, duke ditur se trualli ndodhet në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, në mos më e shtrenjta. Një gjë është e sigurt me ardhjen e Erionit në krye të Bashkisë dhe me bekimin e Ramës në krye të qeverisë, hapësirat e gjelbërta sa do të vijnë e do të ngushtohen dhe do ja lenë vendin betonizimit dhe kullave që po i marrin frymën qytetit.
A po përdoren trojet publike të Tiranës për pastrimin e parave të drogës?!
Në fakt, Edi Rama s’e ka për herë të parë që të dorovisë krimin e organizuar me troje publike dhe sheshe ndërtimi për të shmangur kështu ndonjë nga ish-pronarët e bezdisshëm që mund t’i bëjnë ndonjë të pabërë me gjykatat. Për shembull, ish-fushën e stërvitjes së ekipit “Dinamo” mbrapa stadiumit “Qemal Stafa” ia ka dhuruar djemve të Hajredin Shytit, drejtues të organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”. Një fakt ky i denoncuar nga ish-Kryeministri Berisha. Edhe aty një sipërfaqe e konsiderueshme ku pritet të ndërtohet një ose më shumë kulla shumëkatëshe. Madje ditën e djeshme, aty ishte përqendruar INUK dhe Policia Bashkiake për të prishur dhe ndërtesën e fundit, që do i hapë rrugën mesa duket ndërtimit të kullës ku ortakë pritet të jenë dhe vëllerëzit Shyti. A mund të vihet më shumë se kaq në funksion të krimit i gjithë shteti?! Të gjitha trojet e sipërpërmendura ndodhen në zonë ku një metër katror e kalon shifrën e një mijë eurove për metër katror. Viti që po lemë pas ishte ndër më të begatët për sa i përket mbjelljes dhe eksportit të hashashit, kjo për atë pjesë të trafikantëve që kanë lidhje të ngushta me pushtetin. Eksperiencat e mëparshme kanë treguar se paraja e fituar nga droga mënyra më e mirë për t’i pastruar është sektori i ndërtimit dhe kryesisht Tirana dhe bregu i detit, pasi si çmimi ashtu dhe kërkesa është më e lartë. Pyetja që shtrohet është, a po përdoren trojet publike të Tiranës, nga krimi i organizuar dhe trafikantët për të pastruar paratë me anë të ndërtimit?!