Parlamenti çlirohet nga një tjetër bajgë, Kokëdhimës i hiqet mandati

Gjykata Kushtetuese vendosi dje në favor të kërkesës së opozitës për heqjen e mandatit të deputetit socialist, Koço Kokëdhima, për shkak se ka përfituar fonde publike në kohën kur kishte marrë mandatin.
Që prej më shumë se një viti, rasti i deputetit Kokëdhima, ka qenë pjesë e debateve të gjata, të shoqëruara dhe me vendime drastike të opozitës, e cila pak muaj më parë nuk pranoi të merrte pjesë në punimet e Parlamentit, pa kaluar më parë në Gjykatën Kushtetuese shqyrtimi i mandatit të deputetit socialist.
Deputeti Kokëdhima, i njohur veçanërisht për lidhjet e tij të ngushta me Kryeministrin Edi Rama, i cili e përfshiu atë në listën e deputetëve të partisë së tij në zgjedhjet e 2013, është akuzuar prej kohësh se ka përfituar fonde publike në konflikt interesi me mandatin e tij parlamentar.
Ndërkohë që ai kishte marrë mandatin, një kompani interneti që ai ka patur në zotërim, ka lidhur kontrata me një numër të madh entesh publike. Kokëdhima ka mbrojtur gjatë gjithë kohës tezën se kontrata për të cilat akuzohet janë lidhur para se ai të merrte mandatin dhe se pas kësaj ai ka hequr dorë nga aksionet e tij në këtë kompani dhe të tjera të zotëruara prej tij.
Një kërkesë e hershme e opozitës për ndërprerjen e mandatit të tij, u rrëzua nga Parlamenti prillin e kaluar, gjë e cila bëri që opozita t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi që rastet e konfliktit të interesit do të duhet të shqyrtohen në themel prej saj dhe se roli i Parlamentit mbetej thjesht formal kur kishte një kërkesë prej së paku një të dhjetën e deputetëve. Ky vendim bëri që Parlamenti të shqyrtonte sërish rastin e zotit Kokëdhima dhe t’i drejtohej gjykatës që të vendoste mbi fatin e mandatit të deputetit socialist.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 09.05.2016 shqyrtoi çështjen me palë:
Kërkues: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
Subjekt i interesuar: Deputeti Koço Kokëdhima
Objekt: Konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin të deputetit Koço Kokëdhima
Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjekti i interesuar, në mbështetje të nenit 131/e të Kushtetutës, si dhe të Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
Vendosi:
– Konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima.

Exit mobile version