Kastriot DERVISHI
Përveç ministrit Lleshaj, në Kuvendin e Shqipërisë, u pa sot një estradë edhe e ish prokurorit dhe gjykatësit komunist, spartak braho. Ky si personazh skeçesh me origjinë fshatin e kooperativat, iu drejtua ministrit Lleshaj se kishte nja “dy hajdutë atje, Dervishin dhe Kaloçin”.
Për të mos ta lënë të paditur spartak brahon në këtë moshë, i cili leximit i thotë “vjedhje”, le të sqarojmë ndjekësit e punimeve të Kuvendit. Dervishi jam unë, ndërsa tjetri është Dashnor Kaloçi. Ky i fundit nuk ka punuar në Ministrinë e Brendshme dhe as ka studiuar në Arkivin e saj.
Unë dhe Kaloçi jemi takuar shumë herë në sallën e studimit në AQSH, ku kemi studiuar gjithë Arkivin e Partisë së Punës në prani të syve kureshtarë, dashamirës ose jo, të dhjetëra e qindra vetëve. Për kureshtjen e njerëzisë, dokumentet e Partisë së Punës nuk administrohen nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme.
Në lidhje me certifikatën e sigurisë që Braho akuzoi punonjësit e ISKK-së se e kanë apo nuk e kanë, pajisja me të është kusht për t’iu paraqitur arkivave që posedojnë informacion të klasifikuar. ISKK nuk administron informacion të klasifikuar e për rrjedhim
nuk e ka të domosdoshme një realizim të tillë.
Nëse ka arkiva që i kanë dhënë ISKK-së informacion të klasifikuar, përgjegjësia eshtë e tyre dhe jo e ISKK-së. Shpresoj që braho të shkojë i lumtur në festimet e 75-vjetorit pas lapidarëve e guralecëve me yje të kuq sovjetikë dhe mos përsërisë gabime të tilla. Ta kisha pjesë së organizatës së dikurshme do ta ktheja nga anëtar në kandidat partie.