Pas publikimit të një raporti konfidencial të hartuar nga Policia dhe Prokuroria holandeze, dy agjencitë ligjzbatuese pranuan se ato i propozuan qeverisë pezullimin e lëvizjes se lirë për shtetasit shqiptarë në zonën Schengen. Parlamenti holandez reagoi menjëherë dhe tashmë ka nisur një listë me pyetje për qeverinë holandeze. Policia holandeze përmes një raporti konfidencial ka ngritur alarmin se shtimi i bandave kriminale shqiptare dhe trafikut të drogës mbetet kërcënim për shoqërinë holandeze ndaj dhe ato kërkojnë rikthimin e vizave për shqiptarët. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë holandeze ka këshilluar qeverinë për të pezulluar lëvizjen e lirë me Shqipërinë. Përmes këtij raporti përshkruhet një panoramë e krimit të organizuar shqiptar në Holandë. “Kriminelët shqiptarë shikohen si një kërcënim serioz për shoqërinë holandeze, pasi janë të implikuar në trafikimin dhe shitjen e kokainës dhe kanabisit, trafikimin njerëzor dhe pastrim parash. Roli i kriminelëve shqiptarë po forcohet, dhe ka marrë një rol prominent në Holandë. Ka një mbiprezencë të madhe te shqiptarët në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Një tjetër problem janë klandestinët shqiptarë, të cilët përdorin portet holandeze për të ikur ilegalisht në Angli”. Kjo mbështetet dhe nga një burim në Policinë holandeze, që thotë se për momentin trafikantët e drogës dhe ata njerëzorë që përbëhen kryesisht nga shtetas shqiptarë, janë destinuar si rreziku më serioz për rendin publik në Holandë.