Parlamenti i kartonëve dhe shitësi ambulant

Silvi Bardhi

As 100 metra larg selisë së Parlamentit, shoh çdo ditë të njëjtin shitës ambulant, rreth të 50-ve. Shumë prej banorëve të zonës u ka rënë në sy, ai burrë i cili rri heshtur në pritje të klientëve të rrallë. Sigurisht, nuk mund të ketë shitje të kënaqshme, pasi në tezgën e tij modeste, nuk ka asgjë tjetër përveç se duhanit dhe disa varëseve hajmali. Të vetmet ditë që e shoh plotë shpresë, janë ato me shi, pasi nxjerr të shesë disa çadra për gra e burra. I zgjedh me kujdes, pasi ka mësuar se imazhi është shumë i rëndësishëm ditëve të sotme. Mendoj se këto janë ditët e tij me fat.
Qëndron në po të njëjtin vend, prej se kaloj më këmbë në këtë rrugë prej 2 vitesh. Nuk e shqetëson as qarkullimi kaotik i automjeteve, as lëvizja e pakontrolluar e kalimtarëve, as edhe “konkurrenca”, një tjetër kioskë që ka pak metra më tutje.
Qëndron aty, i qetë me punën me të cilën fiton bukën për të mbajtur shpirtin gjallë.
Ah, buka e tij!
Paraditen e së shtunës ishte po aty. Kaosi i makinave ishte disi më i zbehtë, kalimtarët më të pakët. Ishte kërrusur në stolin e kauçuktë dhe diç po gërmonte.
Më mirë vështrimi im mos ishte kthyer sot nga ai. Më mirë vëmendjen ta kisha gjetkë, por jo tek mëngjesi i tij, i cili më skanoi vetëtimthi varfërinë në Shqipëri.
Ishte një vakt trishtues.
Ashtu kërrusur ai shijonte diçka të hedhur në një kavanoz të zakonshëm, bashkë me një fije qepe të njomë. Kishte humbur krejtësisht vëmendjen ndaj kalimtarëve, madje hollë-hollë, nuk i bënte përshtypje, pasi uria nuk e linte të ngrinte kokën.
Kjo ishte një pamje trishtuese, vajtuese deri në ngashërim.
Pasi iu prezantova, iu afrova dhe e pyeta se prej sa kohësh shiste në këtë zonë. Prej 3 vjetësh më tha. Kam 5 fëmijë. Pa punë. Rri 12 orë, çdo ditë.
Emrin nuk donte të ma thoshte, kishte frikën e policisë. Përse i thash? – “Të lutem, sepse policia mund të më marrë tezgën. E kam të vetmen punë ku nxjerr bukën. Ja tani është ora 2 (14:00), më beson kam bërë vetëm 2 mijë lekë? Dal që në 7 të mëngjesit, iki në 7 të darkës”.
Sa të tillë ka në Shqipëri? Me mijëra.
Sa të tillë punojnë me nder, vetëm për atë pjatë supë, e në fund sërish bien të flenë të uritur.
Sa mijëra familje përjetojnë këtë dramë, pasi shteti krekoset se ka arritur reforma të thella.
Sa mijëra të gënjyer e të zhgënjyer po përpëliten e në fund të fundit gënjeshtrat as nuk hahen e as nuk pihen.
Sa mijëra kryefamiljarë kthehen në shtëpi kokëulur se nuk kanë t’u plotësojnë dëshirat më minimale fëmijëve të tyre.
Sa mijëra nëna ka që vajtojnë përkrah fëmijëve të sëmurë, sepse nuk kanë as edhe kacidhen për t’i blerë një frut të përditshëm.
Sa mijëra fëmijë detyrohen me hir e me pahir të kërkojnë lëmoshë rrugëve?
Është ky pra realiteti sot, jo krekosja e pushtetit. Janë ata njerëz, me të cilët je tallur në fushatë, i ke gënjyer, i ke shfrytëzuar, e sot i ke braktisur.
Janë ata, të cilët i ke blerë, u ke ulur dinjitetin e sot i ke harruar.
Janë ata, të cilët ty të mbajnë mend kur u puthje dorën e sot u gjuan me thupër kokës.
Janë ata pra, të cilët i ke lënë të hanë edhe dheun, përse të besuan ty.
Janë këta njerëz, të cilët dje të panë ty të zhgërryer mbi një pjatë makarona, e sot u del e u thua se ti je shpëtimi i këtij vendi.
Ku është ky shpëtim?
Vendi është i sëmurë rëndë, nga gëlltitja e çorbës së prishur. Sado makineria e propagandës të funksionojë me gjashtë pistona, e vërteta është aty, e gjallë.
Shqiptarët po lëngojnë, ndaj po luftojnë çdo ditë e më shumë, sepse kanë humbur shpresën nga gënjeshtarët.
E gënjeshtra më e madhe po jetohet sot, tek mjerimi i barabartë që po shtrin e majta, siç ka thënë Churchill, pasi kjo është filozofia e tyre.

 

Artikulli paraprakKur të vdes
Artikulli tjetërKomedi me gazetarë shqiptarë