Parlamenti ka rënë, tani luftë me mafian

Ish kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament se si ndahen tenderat dhe paratë publike mes deputetëve socialistë e njerëzve pranë pushtetit. Berisha përmendi vetëm tre raste, deputetët socialistë Sadri Abazi e Pjerin Ndreu si dhe kandidatin socialist për Bashkinë e Kamzës, në zgjedhjet e 2015, Safet Gjicin.
Berisha paraqiti dokumenta që dëshmojnë vjedhjet më flagrante dhe më të paimagjinueshme me firmat dhe vulat e tyre. “Këta hidhen përpjetë dhe mendojnë se me gjuhë rrugeçërish, me gjuhë ordinerësh do mund të mbulojnë vjedhjet e tyre. Siç e dëgjuat unë solla dokumenta zyrtare, të cilat faktojnë se Safet Gjici nga 6 tendera që fitoi në vitin 2013 ka arritur të fitojë vitin e kaluar 58 tendera. Solla dokumenta të pakundërshtueshme, në të cilat Sadri Abazi nga asnjë tender në 2013 fiton 16 tendera në vitin 2015. Solla dokumenta të pakundërshtueshme, zyrtare, të cilat faktojnë se Pjerin Ndreu nga 4 tendera në 2013 fiton 16 tendera në 2015. Solla dokumenta origjinale, në të cilat Kokoneshi, kryetari i Bashkisë Divjakë, shpallë fitues, dhe të dhënat janë se bashkë me deputetin ka ndarë 1 milionë dollarë, kompaninë me një tender 337 milionë lekë fond limit, përjashton kompanitë që japin 220 mln për tenderin dhe tenderin e fiton kompanina me 317 mln lekë, pra rreth 1 mln e ca dollarë më shumë, pasi thuhet gjerësisht se Kokoneshi bashkë me kokoneshin tjetër këtu në parlament, i cili përdor një gjuhë ordineri, kanë futur në xhepa 1 mln dollarë. Solla dhe shëmbuj të tjerë që e kanë dhënë edhe mediat, kur një rrugë e Edi Ramës, prej 930 metra, në fshatin Lin, shpenzohen për ndërtimin e saj 9.9 mln dollarë në një kohë kur e gjithë rruga nga Lini në Pogradec është prokuruar me 21 mln dollarë. Pra, solla fakte të tjera. Kur drejtori socialist i ujësjellësit të Pogradecit, i cakton vetes rrogën 2.5 milionë lekë, në kundërshtim të të gjitha ligjeve, përdorim telefoni pa limit dhe një klauzolë që nëse ikën nga puna ka të drejtë të shpërblehet me 50 mln lekë. Pra siç e shifni kusaria shtetërore e kësaj mazhorance është e pakufishme por vendosmëria jonë për të luftuar, është absolute” bëri të ditur Berisha.
Ndaj dhe ai theksoi se dekusarizimi i Parlamentit nënkupton zbatimin e ligjeve të vendit, plotësimin e ligjeve të tyre, ndaj dhe unë dhe një herë kërkoj mbështetjen tuaj, të miratojmë ligjin “antiOlsi”. “Ligji “antiOlsi” është ligji që do të ndalojë kusarët që të vjedhin pasuritë publike siç po ndodh” tha Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha denoncoi lidhjet e Ramës me krimin.
“Të kërkosh për të ndërprerë lidhjet e krimit të Edi Ramës është njëlloj si të kërkosh eskimezë në shkretëtirë, është njëlloj si të kërkosh rrethin katror dhe këto nuk ekzistojnë. Lidhjet e krimit Edi Rama i ka të salduara në të gjithë psikikën e tij.
Çfarë ndodh të dashur qytetarë dhe qytetare? Pse ky Parlament, si asnjëherë më parë në historinë e tij ndahet në dy kampe: në kampin anti krim dhe në kampin pro krim. Do të thotë kjo që këto deputetë që janë këtu janë të lidhur me krimin?! Jo absolutisht.
Jo zotëri! Nuk do të thotë kjo. Po do të thotë që Edi Rama ju mban juve si skllevër të lidhur me krimin. Do të thotë që Edi Rama, ju shet dhe blen juve një mijë herë për lidhjet e tij me krimin. Po pse Edi Rama dhe jo ju të tjerët këtu? Se edhe ju keni qenë ministra e kryeministra. Pse kjo? Sepse Edi Rama ndan psikologjinë e krimit të dobishëm. Dhe në qoftë se je i mbërthyer nga psikologjia e krimit të dobishëm, nuk del dot kurrë nga spiralja e tij. Kurrë. Nuk ka lidhje më të tmerrshme të njeriut sesa lidhjet e krimit. Edi Rama është mëkuar me lidhjet e krimit të dobishëm. Në diktaturë, xhelatët ishin njerëzit më të mbrojtur, ishin njerëzit më të pacenuar, ishin njerëzit që kishin të gjitha dyert e hapura, njerëz për të cilët nuk flitej. Shkalla e respektit për ta ishte maksimale. Pse? Sepse ata vrisnin, torturonin, burgosnin për hir të pushtetit, që etërit të mbanin pushtetin. Edi Ramës do t’i thoshte një laçian, – nuk ke turp more që bazohesh tek Armando Prenga ti? “Po vetëm me të e marr Laçin”, iu përgjigj ai. Kjo është përgjigjja që i dha” u shpreh Berisha ndërsa denoncoi me të tjera fakte rreth kësaj çështje.
“A e dini ju këtu që i ka çuar Saje qorrin pardje në lokal? Absolutisht po. Ka bërë dy takime. Ka qenë edhe drejtori i policisë në takim. Doni edhe emrin e lokalit? Jua jap edhe emrin po të doni. Por nuk dua të bëj simbol të së keqes atë lokal. Kjo është arsyeja. E vërteta është kjo. A e dini ju se tani ka udhëtimin në Shtetet e Bashkuara. A e dini ju se para tij shkon Shullazi atje. Shkon Shullazi me të gjitha veprat. Ai nuk shkon fizikisht, por shkojnë të gjitha krimet e tij në dosje. A e dini ju se ai bllokon Reformën për Drejtësi, se nuk e do. Pse nuk e do reformën? Çfarë i tha Viktor Ponta, miku i tij: “nëse e bën reformën le kokën pastaj, e pëson si unë”. Takimi është i çertifikuar” u shpreh Berisha.

Si u favorizua Sadri Abazi me tendera në dy vite

Sadri Abazi është një nga të favorizuarit e Ramës në dhënien e tenderave. “Tani shohim pak Sadri Abazin, ka një emër tjetër ky aty, Sadriu është “qelibar”, sakën se fut një qindarkë para publike në xhep, edhe po t’i ngjitet i heq rrugës. Në periudhën shtator 2013-dhjetor 2013 nuk ka fituar ndonjë kontratë, në periudhën janar 2014-dhjetor 2014 ka fituar 11 kontrata. Në periudhën janar 2015-dhjetor 2015 ka fituar 16 kontrata. Çfarë doni më? A doni ta heqim atë ligjin për konfliktin e interesit se jemi bërë njerëzit më qesharakë jo të Shqipërisë, por të planetit. Para syve tanë ndodhin të gjitha këto. Para syve tanë dhjetëfishohen e njëzetfishohen kontratat e këtyre hajdutëve. Ose të plotësojmë ligjin, ose të heqim ligjin e konfliktit të interesit. Unë them ta plotësojmë. Njeriu duhet të udhëhiqet nga besimi tek e mira dhe duhet të përpiqet që çfarë është e mundur dhe duke parë këtë batërdi, këtë njeri që nga 6 kontrata kalon në 58 kontrata, këtë supermafioz që vepron si lubi i papërmbajtur. Të vazhdojmë prapë kështu? Nuk ka gjë më të turpshme. Vetëm Parlament nuk meriton të jetë ky. Ky është një çerdhe kusarësh që përdor mandatin për të vjedhur njerëzit më të varfër të Europës” tha Berisha

Kontratat në rritje të deputetit, Pjerin Ndreu

Pjerin Ndreu, në shtator-dhjetor 2013 ka 4 kontrata. Janar 2014-dhjetor 2014 ka 11 kontrata. Janar 2014-dhjetor 2016 ka 16 kontrata.

Safet Gjici, kampioni i zhvatjes së tenderave

Në krye të listës së tenderave të fituar qendron Safet Gjici. “Do ju jap disa të dhëna për tenderat e kompanisë të famozit Gjici: periudha shtator 2013-dhjetor 2013 Gjici ka fituar 4 kontrata. Periudha janar 2014-dhjetor 2014 Gjici fluturon, ka fituar 40 kontrata. Nuk do të thotë të jesh socialist që të jesh hajdut, por kjo është faqja e zezë e socialistëve. Vjen periudha janar 2015-dhjetor 2015, Gjici ka firmosur 58 kontrata. Si i ka firmosur? Duke jua hequr të gjithë të tjerëve. Ky mafioz, nën rojet e të cilit vidhet banka ditën për diell, fiton nga ju, nga 6 kontrata më 2013, kur për hir të së vërtetës ishte pranë nesh sepse bënte fushatë për ne, ky tani kalon nga 6 kontrata në 58 kontrata. Po pse? Sepse paguan Edi Ramën. A ka neveri më të madhe sesa kjo?” bëri të ditur Berisha.

Skandali me aferën e rrugën Lin-Pogradec

Një skandal i akuzuar së fundmi nga PD, u dneoncuar dje nga ish kryeministri Berisha në lidhje me vjedhjen përmes tenderit të rrugës që lidh Pogradecin me fshatin Lin.
“A keni dëgjuar ju të nderuar deputetë, po ju pyes këtu, se 930 metra rrugë në fshatin Lin të Pogradecit, pasi 3 vjet më parë rruga nga cepi i Linit deri në Buqezë u asfaltua dhe po vazhdonte drejt Pogradecit. Kjo rrugë e tenderuar në mos gaboj ishte 21 milionë dollarë, rindërtim. Sa kushtojnë 900 metrat e Edi Ramës?
Kushtojnë gati 9.9 milionë dollarë. Po ka imagjinatë njerëzore, a ka njeri që mund të veprojë në këtë mënyrë në pasurinë e qytetarëve, a ka banditizëm shtetëror më të madh se ky? Të derdhësh në një fshat të respektuar sa më nuk bëhet, 9.9 milionë dollarë për 900 metra rrugë.  Po pse të mos e bëjë ky person drejtori i Ujësjellësit, kur kryetari i partisë së tij kontrakton 930 metra rrugë për mbi 9.5 milionë dollarë? Kush ka qenë në Lin e di që ky është një krim i shëmtuar. Standardi që ju po vendosni janë standardet e fundosjes së këtij vendi. Disa të dhëna të agjencisë suaj të prokurimeve.
E dini ku keni arritur ju tani? A e dini sa e kanë fondin limit ata hajdutët tuaj me fondet e prokurimit? 98% e kanë. Fondi i prokurimit është 98% i fondit limit, e paimagjinueshme”

Arben Shahini

Exit mobile version