Partia Demokratike e ka të qartë rrugën e saj

Nga Erl KODRA

Kur Partia Demokratike filloi betejën frontale me krimin e organizuar të veshur me kostum deputeti, pas zgjedhjeve të 2013-tës, shumëkush brenda dhe jashtë Shqipërisë mbeti i habitur nga artikulimi i fortë që bënin deputetët e opozitës në Parlament dhe nga Selia e Partisë Demokratike. Ndërkohë Edi Rama tallej, qeshte dhe kërcënonte me togfjalëshin “nuk keni parë gjë akoma”.
Jozefina Topalli, ish Kryetare e Parlamentit ngrihet dhe denoncon me emër dhe mbiemër deputetin vrasës Mark Frroku, të piketuar dhe katapultuar në aulën e Parlamentit Shqiptar nga Edi Rama. Ndërsa vëllai i tij Arben Frroku, vrasës i Komisarit të Policisë Dritan Lamaj, më vonë lirohej nga akuzat në Gjykatë dhe largohej nga Shqipëria.
Në të vertetë, beteja e dekriminalizimit ka filluar më herët. Një Raport Konfidencial i OSBE-së për përdorim të brendshëm, hartuar në tetor 2014, njëmbëdhjet muaj më vonë (shtator 2015) “rrjedh” në mediat e Tiranës, përmbajtja e të cilit u publikua e redaktuar dhe i selektuar në maksimum. Ekzistenca e tij u pranua nga Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Florian Raunig, që nxitoi të shtonte se “ky raport është një përmbledhje nga burime të hapura dhe mediat, dhe se përmbajtja e tij nuk përbën pikëpamjen zyrtare të OSBE-së”. Shenjat janë të qarta, tashmë objektivi është pastrimi i politikës shqiptare nga lidhjet mes mafies, biznesit dhe politikës në Shqipëri.
Partia Demokratike fiton betejën e parë me Krimin e Organizuar, me miratimin e Ligjit të Dekriminalizmit më 17 dhjetor 2015.

Partia Demokratike e ka të qartë rrugën e saj; se shkëputja e lidhjeve mes mafies, biznesit dhe politikës janë garancia e vetme për reformat e tjera serioze që i duhen shoqërisë shqiptare, përfshirë edhe Reformën në Drejtësi. Por ndërkohë Kryeministri Edi Rama në kulmin e fuqive të tij politike me “aleancën e qelbësirave” nuk ndalet. Qeverisja e tij përshkohet fund e krye nga propaganda dhe mashtrimi, fasada boshe, frikësimi dhe kërcënimi i hapur, PPP-të dhe rritja e taksave dhe tarifave; burgu për të pamundurit, aleanca me bosët e mafias dhe biznesit. Skandalet pasojnë njëri tjetrin, ndërkohë që Shqipëria mbushet me drogë nga Jugu në Veri. Mbi 100 oficerë të lartë të Policisë së Shtetit rezultojnë të lidhur me kultivimin e drogës, ndërsa kushurinjtë e Ministrit të Brendshëm me lejen dhe mbështetjen politike dhe policore të Saimir Tahirit vazhdojnë të qetë kultivimin dhe trafikun e drogës drejt Italisë.
Oficeri i antidrogës Dritan Zagani që guxoi të denoncojë këto lidhje të Ministrit Saimir Tahiri me mafian ndërkombëtare, akuzohet, burgoset dhe linçohet publikisht nga Kryeministri Edi Rama. Beteja është e ashpër, saktësisht ashtu siç janë të gjitha luftrat e pista të mafias, sidomos kur kjo e fundit ka pushtuar zyrat e qeverisë shqiptare.
Partia Demokratike zhvillon betejën e saj pa kompromis. Edhe qeveria e Edi Ramës po njësoj; nuk ndalet para asnjë akti të ndyrë dhe kriminal. Propaganda e Kryeministrit nuk ndalet para asgjëje, ndërkohë që mediat e “lira” blihen shtrenjtë, po ashtu edhe individë nga shoqëria civile dhe politika. Pazaret janë të paturpshme dhe cinike. Zakonisht çmimet vendosen sipas rangut dhe forcës; ku në shumicën e herëve përdoren metodat e frikësimit, pushimit nga puna, përndjekjes, joshjes me poste publike dhe para cash. Atmosfera është mbytëse, ndërkohë që biznesi i drogës pushton vendin.

Mbi 300.000 shtetas braktisin Shqipërinë rrugëve të Evropës, ndërsa mijëra të rinjtë shqiptarë i hyjnë “biznesit” të drogës. Burgjet e metropoleve evropiane janë mbushur me rini shqiptare që të marrin gjak në vetull për barin jeshil.
Në këto kushte Partia Demokratike e sheh të pamundur të hyjë në zgjedhje me Kryeministër Edi Ramën. Ajo organizon rezitencën më të jashtëzakonshme që ka parë ndonjëherë historia e Shqipërisë, në mbrojtje të votës së lirë. Në të vertet, Lulzim Basha është disa vite para gjithë klasës politike shqiptare kur artikulon fortë se “reformimi i politikës shqiptare, për ndarjen përfundimtare nga politika e vjetër është jetike për vendin”.
Realisht, kjo është beteja e vertet anti establishment, që sot për ironi të fatit përflitet si “domosdoshmëri” nga disa eksponent të dyshimtë, me hije të dyshimta për lidhje të vjetra dhe të reja. Fakti është se e keqja nuk kursen asgjë në luftën e saj kundër të mirës, domethënë, e keqja shfrytëzon edhe idetë e mira për t’i bërë pis, për t’i shkatërruar ato.
E harruat luftën e paprecedentë të Kryetarit Lulzim Basha dhe artikulimin e tij përgjatë pranverës së 2017-tës? A nuk thoshte saktësisht këto gjëra që sot janë paketuar ndryshe, si “betejë anti establishment”?!
Po kujt ia thoshte ato fjalë Lulzim Basha? Kundër kujt, për ç’arsye madhore ai po qëndronte në Bulevardin para Kryeministrisë? Zaten, për arsye personale dhe pragmatiste, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike do të ishin më komod pa Çadrën e Lirisë, pa presinonin e paprecedentë të faktorit ndërkombëtar, dhe pa luftën e egër brenda llojit që me kohë kishte filluar në Partinë Demokratike, me dorën direkte të Edi Ramës.
Mediat, sidomos “mediat e mëdha dhe të pavarura”, bashkë me gazetarët e mëdhenj të ekraneve janë në garë të shfrenuar kush do të deformojë dhe linçojë më shumë Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike.

Për fat, sot jetojmë në epokën e internetit, dhe gjithçka ka mbetë në ëeb, si prova e krimit që këta lakej të gazetarisë shqiptare kanë bërë kundër Partisë Demokratike, interesave të vendit, kundër Lulzim Bashës. Zhuli i turpit nuk do t’u hiqet përjetë për çdo mashtrim, deformim dhe poshtërim që i kanë bërë Partisë Demokratike dhe shoqërisë shqiptare. Thonë se Historia nuk harron; sot nuk harron ëeb-i.
Duket se beteja finale mes të mirës dhe të keqes po afron. Edhe sot, njësoj si përgjatë gjithë këtyre viteve, janë thirrur nën armë ushtarët e Edi Ramës për ta denigruar Partinë Demokratike. Çdo skutë zien gjithandej nga fjalë dhe shpifje të trasha sa spata s’i pret, kafehane, mejhane dhe holle hotelesh luksoze janë dëshmitare të pazareve të ndyra që bëhen kundër Partisë Demokratike. Njerëz naiv që përdoren kollaj shfaqen vullnetarisht ekraneve duke vjellë vrerë të zi.
Kur?!
Atëherë kur po vjen Dita e Gjykimit si shpërblim për një popull mjeran, sakat dhe të paushqyer, që rrejshëm u është blerë dinjiteti me thasë mielli mbushur me rrena.
Shënim: Cikli i teksteve që po publikoj këto ditë, rrethon Betejën e Madhe mes të Mirës dhe të Keqes. Unë nuk pranoj komente denigruese. Paraprakisht nëse ndokush tenton të fyej, të jetë i sigurtë se do ta bllokoj menjëherë. Kjo nuk mund të ndodhë në faqen time.
Gjithashtu u them të gjithë miqëve dhe atyre që ndajnë mendime të ngjashme me mua, se janë të lirë ta shpërndajnë tekstin tim, madje unë i inkurajoj ta bëjnë këtë.
Shqiptarët duhet ta fitojnë këtë Betejë.

Exit mobile version