Partizani dhe Shkëndija besojnë te një tjetër mrekulli

Kjo javë pati një të përbashkët në Europë për dy klube shqiptare, si për Partizanin ashtu dhe për Shkëndijën, të dyja arritën një rezultat historik në fushë, të kuqtë duke arritur të kalojnë për herë të parë në raundin e 3-të të UEFA Champions League dhe skuadra tetovarem duke arritur për herë të parë në raundin e 3-të të Europa League. Dy suksese të futbollit shqiptar përballë ekipeve që në letër niseshin dukshëm favorite dhe që tashmë mund të vazhdojnë ëndrrën e tyre Europiane dhe këtë javë dhe pse dukshëm me ekipe më të forta. Partizani të martën në “Elbasan Arena” do të ketë një detyrë tejet të vështirë me Red Bull Salzburg. Një humbje do t’i siguronte minimalisht një pjesëmarrje në fazën e play-off të Europa League, por Partizani që në Budapest bëri një mrekulli shpreson të realizojë dhe një tjetër dhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë.
Futbolli është i bukur dhe për faktin se në fushë pavarësisht diferencave rezultati nuk është asnjëherë i sigurtë dhe Partizani këtë e di mirë. Të kuqtë me një lojë të kujdesshme sidomos mbrapa mund të arrijnë të përballë dhe një kundërshtar si Salzburgu, që pavarësisht milionave asnjëherë nuk ka qenë pjesë e grupeve të Champions League dhe në 2012/2013 u eliminuan nga kampionia e Luksemburgut, Dudelange në raundin e dytë, ndërsa një sezon më parë i eliminoi Dinamo Minsk në play off të Europa League. Ndaj për Partizanin besimi te vetvetja mund të jetë një element me vlera në këtë sfidë të dyfishtë ndaj kampionëve të Austrisë. E njëjta gjë vlen dhe për Shkëndijën, që ndaj çekëve të Mlada Boleslavit mund të mos niset e favorizuar në letër, por kuqezinjtë tetovar deri tani kanë treguar se i kanë tejkaluar parashikimet në letër dhe arritja në play off të Europa League është tërësisht e mundur për këtë skuadër. Ndaj mesjavën e ardhshme si Partizani dhe Shkëndija kanë të gjithë të drejtën për të ëndërruar.

Artikulli paraprakMoyes rikthehet në Premier League, firmos me Sunderland
Artikulli tjetërGoditja e madhe