Ëndrra e Partizanit në Champions League u prish, pavarësisht se mbrëmjet europiane do të vijojnë edhe me dy sfidat play off në Europa League. Arritja deri në këtë fazë është një sukses i jashtëzakonshëm për Partizanin, edhe pse është një emër i rëndë i futbollit shqiptar. Të kuqtë eliminuan një emër të rëndësishëm në arenën europiane si Ferencvarosh, ndërkohë u përballën si të barbartë me Red Bull Salzburg, një skuadër që ka buxhetin 60 herë më të madh se kryeqytetasit. Kjo ecuri duhet vlerësuar për faktin se ky është viti i dytë i rikthimit të Partizanit në kompeticionet europiane, që nga viti 2008 duke humbur disi traditën në kontinent.
Mungesa e gjatë në elitën e futbollit shqiptar u shoqërua edhe me mungesën në garat e zhvilluara nga UEFA, çka detyrimisht solli dhe rënien e koeficientit në Europë për të kuqtë, gjë që reflektohej në shortin e hedhur. Një vit më parë Stromsgodset, ndërsa këtë edicion Ferencavarosh dhe Red Bull Salzburg, 3 skuadra për t’u respektuar, por Partizani dhuroi lojëra të bukura dhe emocione të forta.
Tashmë grupi është pjekur dhe ka fituar më shumë eksperiencë, ndaj shorti i fazës play off të Europa League pritet me qetësi. Gjithsesi sinjali për rivalët në kampionat është dhënë, Partizani këtë vit ka synime madhore dhe ndoshta në të ardhmen Europa mund të jetë më e ndritur për 15 herë kampionët.