Nga Vepror Hasani
“Isha e dashuruar tërësisht pas tij”, – tregon Yrmete Medolli, gruaja e poetit të njohur Gëzim Medolli. Isha e sigurt se një ditë gjithçka do të përfundonte në një dasmë, ku do të mblidheshin të gjithë. Ne nuk mund të na ndante asgjë, ndoshta as vdekja…! E dija që në dasmën tonë, do të kishte shumë këngë dhe valle, ndërsa ai do më pëshpëriste te veshi, vargjet e tij të poezisë, për të më treguar se ato i kishte shkruar enkas për mua. (Gëzimi sapo kishte përfunduar vitin e katërt të gjimnazit, ishte viti 1970). E dija, nuk do të mungonte askush, as vëllezërit dhe as motrat e tij, por në atë dasmë, nuk do të ishte as nëna dhe as babai i tij…!
Kjo gjë më hidhëronte, sepse nëna dhe babai për Gëzimin, ishin një brengë e madhe. Gëzimi kishte patur një jetë të vështirë, por çuditërisht, asgjë nuk e kishte mposhtur. Një vit pas lindjes së tij, në vitin 1950, babai i Gëzimit, Gani Medolli, u arratis në Greqi.
Xhaxhai i tij, Xhemal Medolli, kishte qenë kryetari i “Ballit Kombëtar”, gjatë Luftës. Për këtë arsye e pushkatuan. Arratisja e babait e bëri edhe më të vështirë jetë e familjes Medolli, por unë përsëri e doja, edhe pse familjen time, e konsideronin si me “biografi të mirë”. Do të martohesha me të, edhe sikur të na çonin në burg të dyve.
Kur Gëzimi ishte 6 vjeç, i vdiq edhe nëna, Mukadezi, por ndërsa rritej, nisi që dhimbjen e tij, ta nxirrte përmes vargjeve që shkruante. Në familjen e tij, gjithnjë do të kishte vetëm pranga dhe burgje. Megjithatë unë, isha e dashuruar pas tij dhe e dashuruar mbeta gjithë jetën”
Arratisja e Gëzimit
“Befas në fshatin tonë, në Trestenik të Devollit, u përhap një lajm që tronditi shumë njerëz. Ishte 4 shtator i vitit 1970. Dikush erdhi dhe më tha se; Gëzimin e kishin arrestuar. U trondita. Nuk jam në gjendje ta përshkruaj, as sot e kësaj dite. Kishte tentuar të arratisej, por e kishin kapur, pa kaluar dot kufirin. Nuk e përmbajta dot veten. U fsheha diku dhe nisa të qaja. Kjo gjë nisi të më ndodhte shpesh. I dashuri im ishte arrestuar!
Nuk e kisha menduar që do të arratisej, por e dija që ai vazhdimisht, kishte një mall të pa treguar për babain e tij. Kur takoheshim bashkë, më fliste edhe për të atin, Gani Medollin. Më thoshte vazhdimisht: ‘Sa do të doja ta shihja edhe një herë të vetme… ndoshta do të takohem një ditë me të…më ka marrë malli…!
Unë e di që edhe po të kishte qëndruar këtu, do të kishte vdekur nëpër burgje…’! Gëzimi ishte veç se një vjeç, kur babai iu arratis. Ndoshta kishte dashur të vinte ta takonte e, të kthehej sërish. Ne i ishim betuar njëri-tjetrit, për të qëndruar gjithnjë bashkë.
Po kush të m’i tregonte të gjitha këto?! Tashmë për Gëzimin kishin filluar të thuheshin fjalët ‘agjent’, ‘kriminel’, ‘tradhtar’, por vetëm unë e dija kush ishte ai. E kisha njohur shpirtin e tij, nëpër vargje. Shpresoja se edhe mund të lirohej, por ditët kalonin dhe ai nuk po kthehej. Në fshat erdhi përsëri një lajm tjetër: Gëzim Medolli, ishte dënuar për tentativë arratisje, me 10 vjet burg.
Ajo ditë mbeti e paharruar në jetën time. Ndoshta për herë të parë, urreva njerëzit e qeverisë, kuptova se njerëzit e regjimit dhe njerëzit e mirë, shkonin vazhdimisht në kahe të kundërta, për të mos u takuar më kurrë. Gëzimi kishte mbërritur në burgun e Spaçit. Atje do të shkruante:
‘Mirëmëngjes atdhe!
Të përshëndes…!
Dhe pse mbi sfonde telash,
të ulen agimet…’!
Lotoja vazhdimisht…”, kujton bashkëshortja e poetit, Yrmete Medolli.
Pritja…!
“Edhe pse u dënua me 10 vjet burg, vendosa ta pres. Ai sërish do të kthehej dhe ne përsëri do të ishim bashkë, por nuk do të ndodhte kështu. Kur kishin kaluar vetëm tre vjet, më 21 maj të vitit 1973, Gëzim Medolli, u ridënua edhe me 25 vjet të tjera, sepse kishte qenë mes 12 organizatorëve, të Revoltës së Spaçit. Përsëri u fsheha diku dhe lotova. Tashmë ai do të qëndronte në burg për 35 vjet.
Më vonë në vitin 1980, do të mësoja një lajm tjetër, po kaq tronditës. Gëzimi ishte ridënuar edhe me 25 vjet burg të tjera. Atë ditë, pata përshtypjen, se e gjithë bota ishte çmendur. Nuk vonoi shumë dhe ai u dënua edhe një herë tjetër me 10 vjet burg.
Gjithçka kishte marrë fund për të. Ai nuk do të delte i gjallë prej andej. Përpiqesha të mësoja diçka për të, por lajmet që më vinin nga burgu, ishin të pakta. Isha e sigurt, vetëm për një gjë: ai edhe atje do të shkruante vargje, për të mposhtur dhimbjet dhe brengat e tij.
Më vonë këto poezi, do t’i lexoja të gjitha. Shkruante poezi për pushkatimin e varjen e të burgosurve, për nekrologjitë dhe fatin e tyre, por edhe për shpresën dhe të nesërmen….
‘Ata binin nga plumbat,
në krah të harrimit;
Ata vdisnin urie
në gjoks të përçmimit,
Vareshin qelive
dhe heshtnin kohët…
Galerive mbeten nën gurë,
nekrologji që s’u afishuan kurrë’!
Tashmë isha e sigurt, se me Gëzim Medollin, nuk do të takohesha kurrë. Edhe për Gëzimin, nuk besoj se kishte mbetur ndonjë shpresë! Ndërkohë unë isha martuar, por nuk di pse ai, nuk më hiqej nga mendja. Kishte mbetur te loti dhe dhimbja ime…”!
Fati për të qenë bashkë
“Fati e deshi, që ai të lirohej në vitin 1989, kur era e demokracisë, dukej se do të afronte. Mora vesh që kishte ardhur në Korçë. U takuam përsëri. Nisi të më tregonte, për tmerret që kishte përjetuar, vuajtjet dhe torturat. Tregimet e tij, nuk kishin të mbaruar. Ai tregonte dhe unë e dëgjoja, qaja si atëherë, kur isha 18 vjeç. Gjithçka kishte qenë antinjerëzore.
Tashmë kuptoja domethënien e vargjeve të tij;
‘Ekzistenca ime,
një dosje,
një numër,
një skedë…’!
Më tregoi se gjithnjë kishte ëndërruar, të takonte të atin, më tha se kishte ndërmend, të provonte sërish arratisjen, por këtë gjë nuk ia thoshte askujt. Kishte frikë, se mund ta arrestonin përsëri. Me këtë mendim, kaloi gati një vit. Punoi në minierë deri në vitin 1990, ku në një nga këto ditë, erdhi lajmi se; Gëzim Medolli, ishte arratisur përsëri. Ishte nisur për atje, të takonte të atin, por ky takim, nuk ndodhi kurrë”, kujton e tregon Yrmetja, bashkëshortja e Gëzimit.
“Në policinë e Athinës, i kishin thënë se babai i tij, ishte gjetur i mbytur në rrethana misterioze në ujërat e Detit Egje, shumë pranë me kampin e refugjatëve, në Llavrios. Dyshohej se e kishin mbytur njerëzit e Sigurimit të Enver Hoxhës. Pas këtij lajmi të kobshëm, ai kishte shkuar buzë detit, ishte ulur atje dhe kishte qarë gjatë. Qante dhe i tregonte babait të tij, gjithçka që i kishte ndodhur. Që të dy nuk kishin patur fat.
‘Baba’, – pëshpëriste atje anës detit, ma vure emrin Gëzim, por unë nuk pata veç ditë të zeza…’! Ai u arratis, por vetëm unë e dija që ai do të kthehej. Po, u kthye që andej mjaft i dëshpëruar, me mendimin, se nuk do të shkonte më kurrë në Greqi, por herë pas here, ndjente dëshirën për të parë ujërat e Detit Egje, me shpresën se mes valëve dhe dallgëve, do të shfaqej babai i tij, të cilin nuk e kishte parë kurrë, që kur ishte një vjeç”.
Martesa
“Pikërisht në këtë kohë u martuam, – tregon dhe kujton me dhimbje Yrmetja, e cila e kishte dashuruar Medollin, që në rininë e saj. “Të them të drejtën, nuk dija nga t’ia nisja…! Nuk kishte as shtëpi, asgjë. Mehemet Medolli, vëllai i tij i vogël, e mori në shtëpinë e vet. Me punë, e caktuan fillimisht në minierën e Bitinckës dhe më pas në atë të Rehovës,. Tani, kur lexoj poezitë e tij, njëra prej tyre më pëlqen shumë. E titullon ‘E sigurt’.
‘Do të takohemi diku, e di…
në tren,/ tramvaj,/ në holl,
apo…nën një copëz re me shi.
Do të puthemi prapë, e ndjej…
në prag, në bar, në mol apo…
nën mijëra copa diej…’!
E lexoj dhe qaj. Pasi u martova me Gëzmin, na çuan te një shtëpi e vjetër, që dikur kishte shërbyer si shkollë. Nuk kishte as dyer, as dritare. Më 2 dhjetor të vitit 1992, lindëm Elionën. Më kujtohet si sot. Bënte shumë ftohtë dhe binte borë e madhe. Nuk kishim as dritë, as ujë, as bukë, as veshje, as punë. Lëviznim si dy hije, mes errësirës, por në çdo cep të dhomës që të shkonim, të ftohtët ishte njëlloj. Shtëpia ku jetonim, ngjante më së shumti me një burg.
Shpesh më kujtoheshin vargjet e tij:
Pol më pol shtegtimin enda,
akuj jashtë e akuj brenda…!
Det më det me valët renda,
stuhi jashtë, e acar brenda.
Yll më yll, shigjetë ngava,
Mbi një hon me akuj, shkava…
Gjaku ngrinte nëpër rremba,
akuj jashtë e, akuj brenda…’!
Përmes atij acari dhe akulli, ne të dy, unë dhe Gëzimi, përpiqeshim të ngrohnim me shpirtrat tanë, trupin e vogël të Elionës. Jeta jonë, ishte një tmerr i vërtetë. Nuk kishim me se ta mbështillnim. Mbaj mend, që na ndihmuan komshinjtë, na sollën gjithçka kishin mundësi, por varfëria jonë, mbetej e përhershme. Në vitin 1992, Gëzim Medolli u zgjodh kryetar i “Ballit Kombëtar” në Korçë, por ne përsëri mbetëm njësoj të varfër.
Në vitin 1996, ai u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i “Ballit Kombëtar” në Tiranë, por pas një viti filluan trazirat. Shpresa jonë për një jetë më të mirë, kishte nisur të merrte fund. Fatmirësisht, në vitin 1996, u sistemuam në një apartament të rregullt, por përsëri nuk kishim asgjë…”!
Pa bukë…!
“Në vitin 1997 e, në vazhdim, gjendja jonë ekonomike u bë edhe më e keqe. Vazhdonim të ishim pa ujë, pa drita, pa bukë, pa veshje, pa gjithçka tjetër…! Gjithë mbrëmjen dhe orët e vona të natës, i kalonim pa dritë. Mbaj mend që ushqimin e Elionës, e përgatisnim duke ndezur letra, e duke i zier makarona, në xhezven e kafesë.
Me këtë mënyrë jetese, do të vijonim deri në vitin 2004. Elektricistët vinin dhe na prisnin dritat, se nuk paguanim dot faturat e energjisë, ata të ujësjellësit, vinin dhe na prisnin ujin. Shkoja, sa te një zyrë, te një tjetër, që të na lëshonin dritat, por të gjithë më mbyllnin derën; ‘Paguaje’!- më thoshin.
Në të vërtetë, nuk ishim vetëm ne që nuk paguanim, kishte edhe shumë të tjerë, por me familjen tonë, silleshin njësoj si atëherë, kur Medollët i kishin quajtur kriminelë. Sa herë Gëzimi hynte në shtëpi, pyeste për dritat. ‘Nuk do të kemi’, i përgjigjesha. ‘Po ujë’? më pyeste ai. ‘As ujë’, ishte përgjigjja ime.
Ai qëndronte i heshtur dhe i dëshpëruar. ‘Po sa lekë, na janë bërë të papaguara, deri tani’? pyeste pas një çasti heshtjeje. Në të vërtetë, ai nuk e donte përgjigjen, sepse ne nuk ishim në gjendje të paguanim. Unë e dija dhe heshtja, heshtte dhe ai. Përpiqeshim ta lidhin fshehurazi, energjinë, por ata e merrnin vesh dhe na vinin në çast. Përsëri mbeteshin pa drita…”!
Vdekja e poetit
“Ishte 30 prill i vitit 2004, kur ai hyri në dhomë dhe pas një infarkti vdiq. Edhe atë natë, nuk patëm drita. Nuk do ta harroj kurrë, atë natë të zezë. Në tavolinën ku shkruante, i kishte mbetur vetëm një paketë “DS”, me pesë cigare, shkrepësja e përgjysmuar, syzet, një flamur kuq e zi dhe asgjë tjetër. Këto sende, i ruajmë edhe sot e kësaj dite. Eliona ra mbi trupin e tij dhe e mbuloi me të qara.
‘Ngrehu baba, – i thoshte ajo,- mos më lër vetëm, unë të dua shumë. Të lutem baba, hapi sytë edhe një herë. Më fol edhe një fjalë, edhe një fjalë’,- vajtonte Eliona, por ai qëndronte i heshtur. Dukej sikur ende pyeste: ‘Po sot a do të kemi drita’?! Po ujë a do të kemi?! A është gati darka e Elionës”?, kujton e tregon me dhimbjeve, Yrmete Medolli.
“E hoqa Elionën nga krahët e të atit dhe i thashë: Sill flamurin kuq e zi, sepse vetëm për atë flamur, betohej babai yt’. E mbuluam me flamurin kombëtar. Vetëm atë çast, m’u duk sikur ai u ngroh, sikur nisi të qetësohej. Nuk arriti të hante darkë. Të nesërmen e varrosëm, por nuk do ta harroj kurrë, që ai u varros pa ngrënë bukë. Pas përhapjes së lajmit, në shtëpinë tonë, erdhën shumë njerëz. Vdekja e Gëzimit, i mblodhi të gjithë. Atë natë të zezë, na u mblodhën mjaft lekë.
Të nesërmen, shkova tek elektriku dhe me paratë e vdekjes së Gëzimit, pagova faturat e energjisë elektrike dhe të ujit. Eliona Vazhdonte të qante. ‘Mos qaj Elona i thosha’, ndërsa në të vërtetë, i thosha po ato vargje, që kishte shkruar babai i saj:
‘Mos qaj Mirel…
Ai iku drejt qiellit,
të t’i mbledhë lulet.
Mos qaj Mirel…’!
Ai ngau drejt,
zemrës së diellit,
të të sjellë rrezet…
Mos qaj Mirel…
Mos qaj…”,
kujton Yrmetja, me të njëjtën dhimbje që e shoqëri gjithë jetën e saj. /Memorie.al