Pas 3 vitesh korrupsion e varfëri, të rinjtë shqiptarë të parët në botë që duan të braktisin vendin

Pas 3 vitesh qeverisje të Edi Ramës, të rinjtë shqiptarë zënë vendin e parë në Europë dhe në botë për dëshirën për të braktisur vendin. Ky raport tronditës bëhet i ditur nga Organizata Ndërkombëtare e Punës. Organiza Ndërkombëtare e Punës, tregon se përqindja më e lartë e të rinjve nga mosha 15-29 vjeç, që duan të emigrojnë në botë, janë nga Shqipëria.
Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa deklaroi dje se, raporti i ILO është dëshmi e dëshpërimit të të rinjve sot në Shqipëri dhe pamundësisë së tyre për të punuar.
“Në raport thuhet se, gatishmëria e të rinjve për të emigruar është nxitur kryesisht nga papunësia e lartë dhe mungesa e shanseve dhe e besimit për të gjetur një punë. Kjo është gjendja ekonomike në Shqipëri, ky është realiteti ku papunësia rritet, besimi tek të rinjtë është goditur, shpresa për të ardhmen është vrarë, ndërsa shtohet çdo ditë pasuria e qeveritarëve që ndajnë e plaçkisin asetet publike e paratë e shqiptarëve”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike.
Ajo tha se 300 mijë vendet e punës të premtuara nga Edi Rama 3 vjet më parë, jo vetëm janë harruar, por mijëra të papunë janë shtruar si pasojë e taksave të larta, pasigurisë, mbylljes së bizneseve, dhe arrogancës së pushtetarëve. “Të vetmet vende pune në qeverisjen e Edi Ramës dhe me bekimin e tij janë ato të kultivimit dhe ruajtjes së hashashit për llogari të një grushti banditësh dhe qeveritarësh. Të rinjtë shqiptarë nuk e meritojnë këtë model që ofron Edi Rama, nuk e meritojnë këtë vrasje të shpresës. Rinia duhet të bashkohet, të ngrihet e të marrë fatet e vendit në dorë. Largimi nuk është zgjidhja.
Shqipëria mund të ofrojë punë, shpresë e të ardhme për rininë. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, tha Zhupa.
Sipas raportit të ILO, Shqipëria renditet në vendin e parë në botë për shifrat e të rinjve që duan të largohen nga vendi i tyre. Raporti i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, (ILO) për trendin e punësimit tek të rinjtë, evidenton se të rinjtë e moshës 15-29 vjeç në numrin më të madh të tyre që duan të emigrojnë në botë. Në raport theksohet se dëshira e të rinjve për të emigruar është nxitur pjesërisht nga deficite të tregut të punës dhe një normë e lartë papunësise. Po ashtu, mungesa e mundësive në tregun e punës është një tjetër faktor kyç që i shtyn ata drejt dëshirës për të lënë vendin e tyre.
Shqipëria zë një përqindje të lartë të të rinjve që janë në kërkim të një pune, por që e kanë të pamundur ta gjejnë atë. ILO raporton se 28-35 për qind e grupmoshës 15-24 vjeç në kërkim të një pune në Shqipëri, nuk arrijnë të integrohen në treg. Në aspektin e vullnetit të përgjithshëm, prirje më të lartë për të lëvizur jashtë vendit, në 38 për qind, është gjetur në Afrikën sub – Sahariane, Amerika Latine dhe Karaibe, e ndjekur nga afër nga Evropa Lindore në 37 për qind. Prirja më të ulët për të emigruar ekziston në Amerikën Veriore, ku vetëm 15 për qind e të rinjve janë të gatshëm për të lëvizur jashtë vendit përgjithmonë. Sa i përket të ardhurave vjetore, Shqipëria pozicionohet në një vend me të ardhura mesatare, që variojnë nga 976 USD deri në 3855 USD.

Exit mobile version