Pas 8 muajsh zbardhet vendimi i kullës pas Teatrit, me 10 kate shtesë

Nga Arbjona Çibuku 

Në mbledhjen e 26 Dhjetorit 2023, në rendin e ditës u diskutua leja e ndërtimit për një kullë 33 katëshe nga Fusha shpk me vendosje krah pedonales Murat Toptani.

Vendimi i firmosur kryetari i KKT-së, z. Edi Rama dhe ministrja e linjës znj. Belinda Balluku u bë publik pas 8 muajsh në faqen e AZHT pas kërkesave të vazhdueshme nga redaksia e Citizens.al.

12
Foto: Kullat e Tiranës të gjeneruara në 3D | Burimi: Përdoruesi K999 në Blogun SkyScrapperCity;

Citizens iu drejtua Agjencisë së Zhvillimit të Territorit me një kërkesë për informim për të siguruar vendimet që u morën në këtë mbledhje. AZHT refuzoi t’i vinte në dispozicion edhe pas ndërhyrjes së komisionerit për të drejtën e informimit.

Përfaqësues të AZHT u shprehën se “me përfundimin e procedurës së sipërcituar, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të vijojë me publikimin e vendimeve të miratuara në datë 26.12.2023, sikurse ka vepruar në çdo rast gjatë 8 viteve të shkuara”. 

Institucionit iu deshën 8 muaj për të bërë publike në faqen zyrtare vendimin e firmosur për këtë leje ndërtimi.

Citizens publikoi pak muaj më parë projektin për ndërtimin e një kulle pas Teatrit Kombëtar, që informacioneve në dispozicion ishte 23 katëshe. Por vendimi zyrtar rezulton që kulla është me 33 kate, pra i janë shtuar dhe 10 kate të tjera nga projekti fillestar.

Sipas dokumentit, kulla kufizohet në jug me pedonalen Murat Toptani, në veri me Sarajet e Toptanëve, në perëndim me Teatrin Kombëtar dhe në lindje me objekte shërbimesh.

Pasi dështuan të realizojnë ligjin special për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar në këmbim të kullave, sipërmarrësi Shkëlqim Fusha dhe qeveria shqiptare kanë vijuar planin në një formë tjetër.

Citizens ka zbardhur si Bashkia e Tiranës i ka dhënë kompanisë Fusha shpk, përmes një vendimi të datës 3 Maj 2023, 1266.6 m2 truall në rrugën “Abdi Toptani”, dhe dy ndërtesa përkatësisht 801.4 m2 dhe 183 m2. Njëra prej tyre është godina e ndërmarrjes së dekorit të Tiranës.

Kujtojmë se kompania “Fusha” ishte ofruar që në vitin 2018 për ndërtimin falas të Teatrit Kombëtar në këmbim të një sipërfaqeje prej mijëra metra katrorë ku do të ngrinte edhe një kompleks prej 6 kullash. Aktualisht, Teatri me një kosto prej 40 mln. euro po ndërtohet nga fondet publike, megjithatë sipërmarrësi po e realizon ambicien për të ndërtuar mbi tokë publike në zemër të kryeqytetit.

SON Engineering & Construction është kompania që ka projektuar ndërtimin e të dyja kullave, e cila ka shoqëri bijë “Shoqërinë Koncesionare Tirana 4”, që 32.9% të aksioneve zotërohen po nga kompania “Fusha’, ndërsa administrator është Elti Fusha, djali i Shkëlqim Fushës./citizens.al

Exit mobile version