Gjyqtari Adrian Dvorani ka dhënë dorëheqjen nga kandidimi për kreun e Gjykatës Kushtetuese. Dorëheqja e tij i është paraqitur ditën e djeshme Komisionit për Emërimet në Drejtësi, ndërkohë që Faxëeb.al ka siguruar dhe letrën e tij drejtuar Xhezair Zaganjorit. Sipas tij duke qenë se është pjesë e KED, kandidimi për kreun e Kushtetueses përbën një konflikt interesi.
Emri i Dvoranit u lakua nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha, si kandidati që do të mbështej fuqishëm nga ana e mazhorancës për kreun e Kushtetueses.
“Dvorani po konservohet dhe së shpejti do jetë në krye të Gjykatës Kushtetuese. Ku kishte 90 milionë lekë të pa justifikuara dhe ato kaluan se Rama e kishte projektuar për në krye të Gjykatës Kushtetuese. A e dini që është në Këshillin e Lartë të Emërimeve, lexoni listën”, u shpreh Berisha pak ditë më parë.
Nga ana tjetër dje janë publikuar dhe emrat e tre kandidatëve që janë pjesë e garës për në Kushtetuese që janë: Avni Shehu, Marsida Xhaferllari, Theodhori Sollaku.
Dvorani kaloi procesin e Vetingut dhe është ende anëtar i Gjykatës së Lartë, pavarësisht se i ka mbaruar mandati.
Ardian Dvorani është një nga gjykatësit të cilin Partia Demokratike e ka denoncuar vazhdimisht. Sipas denoncimeve të opozitës, gjyqtari Dvorani ishte ndërmjetës i bandës së Agron Xhafajt, vëllait të Fatmir Xhafajt.
Njoftimi i Plotë i KED-së
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), zhvilloi mbledhjen e tij të rradhës, ku në rendin e ditës ishte diskutimi dhe miratimi i Projektrregullores së Brendshme, për organizimin dhe funksionimin e KED-së. Këshilli, i angazhuar maksimalisht për të përmbushur detyrimet e tij kushtetuese, diskutoi dhe miratoi një pjesë të dispozitave të projektaktit. Vijimi i diskutimit dhe miratimit të projektrregullores do të vijojë në mbledhjen e radhës, e cila do të zhvillohet, ditën e premte, në datën 01.02.2019 ora 10.00. Në fillim të mbledhjes së ditës së sotme, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, zoti Ardian Dvorani, i njoftoi Këshillit vullnetin e tij për tërheqjen nga kandidimi për postin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.