• Pas denoncimit të PD kandidati i Tom Doshit nuk emërohet drejtor i IKMT Shkodër/Alibeaj: Po zëvendësohet një ushtar i krimit me një tjetër ushtar të krimit
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ
Pak ditë më parë Partia Demokratike denoncoi zyrtarizimin e aleancës së Edi Ramës dhe Tom Doshit nëpërmjet emërimit të Serdar Hoxhës, kandidat për deputet të PSD, në krye të IKMT-së së Shkodrës.
Përpjekja për të ndarë plackën e rrëmbyer në masakrën elektorale e 25 prillit midis Ramës dhe Doshit u ndal nga denoncimi ynë. Falë të cilit, Serdar Hoxha nuk arriti të kap pozicionin e rëndësishëm, nëpërmjet të cilit nuk do të bënte gjë tjetër vecse do të mbushte xhepat e padronëve të tij në kurriz të interesave të qytetarëve.
Largimi i Serdar Hoxhës pa u futur në zyrë është një lajm i mirë për qytetarët, por lajmi i keq është komandimi në krye të IKMT-së Shkodër të Guri Seferit, një tjetër eksponent i Partisë Socialiste që ka lidhje të forta me krimin. Ai është në atë detyrë për shkak të lidhjes me trafikun e drogës. Jo më larg se korrikun e shkuar, djali i tij, Romi Seferi, është arrestuar për trafik droge.
Lidhja me krimin ka qenë një standard me të cilin Edi Rama ka keqqeverisur vendin, nga përzgjedhja e depuetetëve dhe e kryetarëve të bashkive, deri te postet më të rëndësishme në administratën publike. Edi Rama merr pushtet nga krimi dhe qeverisë me dhe për krimin. Për këtë arsye, shqiptarët nuk kanë në këto 8 vite më shumë mirëqenie, më shumë punësim, më shumë meritokraci. Prandaj Shqipëria renditet ndër vendet më të korruptuara të botës.
Shqiptarët nuk meritojnë që një ushtar i krimit si Serdar Hoxha të zëvendësohet më një tjetër ushtar të krimit si Guri Seferi. Shkodra dhe Shqipëria ka djem dhe vajza të jashtëzakonshëm, të mirëshkolluar dhe që mund ti shërbejnë vendit në administratën e lartë shtetërore. Por interesi i Edi Ramës nuk është puna dhe shërbimi ndaj shqiptarëve, por është puna, pasurimi dhe shërbimi ndaj krimit.
Ne nuk e pranojmë këtë rokadë në dëm të interesit publik, shqiptarët nuk e pranojnë këtë rokadë në dëm të interesave të tyre.
Dekriminalizmi i politikës dhe institucioneve publike mbetet misioni ynë dhe ne do të luftojmë bashkë me shumicën e shqiptarëve që politika të pastrohet nga lidhjet me krimin dhe institucionet t’u kthehen qytetarëve. Detyra jonë ndaj shqiptarëve është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend.