Pas drekës me Veliajn, prokurori Fusha shkon tek dekriminalizimi

Petrit Fusha nuk do të jetë më kreu i Prokurorisë së Tiranës. Ai është larguar nga kjo detyrë pas skandalit të publikimit të një fotografie ku shfaqej në një restorant të Tiranës, duke drekuar me Erion Veliajn, i cili po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për vrasjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Bëhet e ditur se Fusha është larguar nga detyra e drejtimit të Prokurorisë së Tiranës, por është emëruar në një detyrë tjetër të rëndësishme, në Njësinë e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Tiranës.
Kjo lëvizje është bërë menjëherë pas miratimit të Vettingut, një ligj që do të kalojë në sitë prokurorët dhe gjykatësit. Fusha është emëruar në Njësinë e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Tiranës jo vetëm për të pastruar figurën e tij, pasi ai është akuzuar në media për korrupsion, por për t’i shërbyer Ramës për pastrimin e dosjeve të prokurorëve që i interesojnë këtij të fundit.
Njësia e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Tiranës, mësohet se do të bëhet me 3 prokurorë, për shkak të rëndësisë që po merr. Bashkë me Fushën në këtë njësi ka shkuar edhe prokurorja Alma Muça. Ndërkohë drejtuese e kësaj njësie do të vazhdojë të jetë, Rovena Gashi. Aktualisht Petrit Fusha vazhdon të mbajë dhe postin e kreut të akuzës së kryeqytetit, por në këtë post, ai është i komanduar deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri. Për momentin, nuk ka asnjë informacion për emrin që do të zëvendësojë Petrit Fushaj në krye të Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton 5 padi të ngritura ndaj krybashkiakut Erion Veliaj.
Pak ditë më parë, kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha u fotografua, duke drekuar me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Petrit Fusha dhe Veliaj kanë qëndruar për më shumë se 2 orë në një nga lokalet në qendër të kryeqytetit. Citynews ka siguruar pamjet kur Petrit Fusha ka hyrë më parë në ambientet e lokalit dhe është ulur në një nga cepat e tij. Pas rreth 20 minutash në restorant është shfaqur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj dhe Fusha dukeshin në një bisedë ku kryebashkiaku jepte sqarime dhe urdhëra ndaj kryeprokurorit të kryeqytetit, i cili ka në dorë disa hetime të rëndësishme penale për Veliajn dhe ministrat e qeverisë Rama, raporton Citynews. Mbi Veliajn janë ngritur disa padi që po hetohen nga Prokuroria e Tiranës, ku më e rëndësishmja është ajo e vrasjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

Hetimet për vrasjen e Gjoklajt

Edhe pse kanë kaluar gati 5 muaj nga vrasja e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, brenda landfillit të Sharrës, Prokuroria e Tiranës ende nuk ka një vendimmarrje për përgjegjësit e këtij krimi. “AbcNews”, raportoi dje se kjo prokurori i ka deleguar shtatë detyra të ndryshme Policisë së Shtetit me qëllim sigurimin e disa provave shtesë, dëshmive dhe veprime të tjera hetimore, në dosjen e çështjes për zbardhjen e vrasjes dhe gjymtimit të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.
Ndër këto detyra konkrete për oficerët e Policisë Gjyqësore, prokurori Julian Zonja, ka caktuar marrjen në pyetje të disa dëshmitarëve që ndodheshin në landfill natën e vrasjes apo edhe të afërm të 17-vjeçarit, të cilët nuk janë pyetur ende deri më sot.
Veç kësaj, është kërkuar edhe verifikimi në Institutin e Sigurimeve Shoqërore për punonjësit që kompania 3R (e cila menaxhonte landfillin) kishte të deklaruar, pasi zyrtarisht Prokuroria ende nuk është njohur. Gjithashtu, burimet nga Prokuroria thonë se janë në pritje edhe të ekzaminimeve të tjera të ekspertëve kriminalistikë apo atyre të Mjekësisë Ligjore.
Burimet thanë se hetimi ndaj zyrtarëve të Bashkisë është veçuar dhe janë duke u verifikuar procedurat e ndjekura nga Bashkia e Tiranës për krijimin e shoqërisë ECO TIRANA, e cila më pas, me firmën e kryetarit të Bashkisë, Erion Velia, në formën e marrëveshjes, i ka kaluar kompanisë 3R administrimin e landfillit të Sharrës, e cila merrej me selektimin e mbetjeve.
Ngjarja për të cilën Prokuroria po vazhdon hetimet, ka ndodhur në fillim të muajt gusht të këtij viti dhe ende dosja pritet të plotësohet. Me gjetjen e trupit të Gjoklajt, është konstatuar se i riu punonte jashtë çdo rregullit ligjor në kapanonin e landfillit të Sharrës dhe se ai mund të ketë qenë në gjumë, në kohën kur ekskavatori që bënte grumbullimin në sheshin e mbetjeve e ka goditur, duke i sjellë vdekjen.

R.POLISI

Exit mobile version