Fatura e dritave për prillin mund të ketë brenda dhe taksën e pronës, e cila do të përllogaritet sipas një mënyrë të re që merr për bazë vlerën e objektit dhe jo sipërfaqen. Qeveria po merret me procedurat e fundit dhe brenda marsit do të merret vendimi përfundimtar. “Në një prill do të nisë me metodologjinë e re, nivelin e ri, taksimi i ndërtesave, i pronës sic i referoheni ju, në të gjithë Shqipërinë. Do të jetë patjetër një agjent, që ne mendojmë të jetë OSHEE-ja”, tha ministri Arben Ahmetaj. Qeveria mund të vendosë që për disa bashki si ajo e Tiranës, taksa e pronës për bizneset të mblidhet përmes faturës së ujit. Në fakt, aktualisht kjo taksë përmes faturës së ujit mblidhet në të gjithë vendin. Formula e re parashikon që taksa e ndërtesës për familjarët do të jetë 0.05 % e vlerës së banesës, pra nëse një shtëpi ka një vlerë prej 10 milionë lekësh, qytetari duhet të paguaj në muaj 500 leke, që përkon me 0.05 përqindëshin, ndërsa për bizneset kjo taksë do të jetë 0.15%. Ministri i Financave tha po ashtu se zgjerimi i ndërtimit vitin e fundit është nxitur nga shtimi i kreditimit për këtë sektor, që sipas tij në 2017 ka një rritje vjetore prej 67%.