Pas Gjiknurit dhe Peleshit është radha e Veliajt dhe Ramës për t’u paraqitur në SPAK

Nga Namir Lapardhaja

Nëse po ndodh diçka e madhe që të gjithë e shohin, por shumë pak e besojnë, është transformimi dhe pastrimi i skenës politike shqiptare nga dinosaurët e tranzicionit të stërzgjatur shqiptar.

Kjo gjë po bën që të ravijëzohen dy frontet që do të përplasen në zgjedhjet e vitit 2025.

Shtabet do të ndahen në mes Fronteve Anti dhe Pro SPAK dhe ajo që ngelet për t’u parë është se ku do shkojë vota e shqiptarëve të vjedhur.

Tek ‘Aleanca Kundër SPAK dhe GJKKO’ po shohim se si po drejtohen me detyrim-përcaktim të gjithë politikanët ‘VIP’ të tranzicionit, përfshi shumicën e ministrave të qeverisjes aktuale.

Paraqitja e pak ditëve më parë e Damian Gjiknurit i hapi rrugë paraqitjes së Niko Peleshit, ndërkohë që në radhë është Erjon Veliaj për inceneratorin e Tiranës dhe Edi Rama për aferën McGonigal.

Nëse sot duket si parashikim naiv, në ditët e ardhshme do të jetë një gjë krejt e natyrshme, ashtu sikurse po shndërrohet në normale paraqitja në SPAK e politikanëve që asnjëherë më parë nuk e kishin kaluar atë prag. Madje, tingëllonte qesharake nëse e artikuloje pak kohë më parë një gjë të tillë.

Po mblidhen aty së bashku ata që kanë shkelur besimin e publikut, ata që i kanë vjedhur dhe që vazhdojnë edhe t’i përqeshin edhe t’i vjedhin në të njëjtën kohë.

Sipas sondazheve, 70% e shqiptarëve mbështesin punën e SPAK dhe të Gjykatës Speciale.

Kështu që ‘Aleanca Pro SPAK dhe GJKKO’ do duhet të forcohet në aspektin elektoral dhe do duhet që, veç mbështetjes së drejtësisë, të bëhet zëri dhe zemra e qytetarëve të pakënaqëur, që nuk besojnë askënd, por që kanë shumë besim te drejtësia.

Këto dy fronte pritet të kenë përballjen përfundimtare në zgjedhjet e vitit 2025 dhe do jenë votuesit ata që do të vendosin se me kë do të pozicionohen.

Sepse, tek e fundit, të gjithë këta që janë dhe do vijojnë të jenë subjekte të SPAK dhe të GJKKO-së, lekët dhe të ardhmen e shqiptarëve kanë vjedhur.

Ndaj u ngelet të zgjedhin, në do duan të ngelen pengje të së shkuarës dhe të vajtojnë për politikanët e korruptuar apo të shohin nga e ardhmja dhe t’i bashkohen transformimit të madh që po ndodh përditë e më qartë.

Exit mobile version