Plani i qeverisë britanike për të dëbuar azilkërkuesit e refuzuar në qendrat e azilanteve jashtë vendit, po merr mbështetje nga Agjencia për Refugjatët e Kombeve të Bashkuara (UNHCR).
Sekretarja e Brendshme britanike, Yvette Cooper, ka diskutuar mundësinë që Britania të paguajë vende të Ballkanit për të pranuar azilkërkues të refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar, në një takim me kreun e UNHCR-së.
Qeveria britanike po shqyrton ngritjen e disa qendrave jashtë vendit për pritjen e migrantëve që nuk kanë fituar të drejtën e azilit në MB. Si vende pritëse janë përmendur Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut.
Një dokument i UNHCR-së që thekson nevojën për sisteme të efektshme kthimi dhe rolin që mund të luajnë qendrat e kthimit, lë të kuptohet se kjo agjenci është e gatshme të mbështesë vende si Mbretëria e Bashkuar për vendosjen e këtyre marrëveshjeve, me kusht që ato të mos bien ndesh me politikën e saj për mbrojtjen e refugjatëve, shkruan “The Telegraph”.
Britania mund të ndjekë shembullin e Italisë, e cila ka ngritur dy qendra për përpunimin e azilkërkuesve në Shqipëri, për migrantët e ndaluar në Mesdhe.
UNHCR-ja ka theksuar se në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, do të kërkohej vendosja e mekanizmave monitorues në këto qendra për të garantuar respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur Mbretëria e Bashkuar po përballet me një numër rekord të migrantëve që kalojnë Kanalin e La Manshit.