Pas kornizës kushtetuese duhet të miratohen 40 ligje, procesi i vettingut zgjat 5 vjet

Kreu i Departamentit të PD për Sigurinë, Rendin Publik dhe Luftën kundër Krimit, Enkelejd Alibeaj, ka folur për Reformën në Drejtësi, pas miratimit të saj në Kuvend me konsensusin e të gjitha palëve. Alibeaj thotë se tashmë është miratuar korniza ligjore e reformës dhe pas kësaj duhet të miratohet paketa e ligjeve që e plotëson atë. Sipas tij janë rreth 40 ligje që duhet të miratohen, ndërsa shton se procesi i vettingut zgjat për 5 vjet. “Tashmë është miratuar korniza ligjore e reformës. Duhet të miratohen rreth 40 ligje. Procesi i vettingut zgjat 5 vjet. Pavarësisht kërcitjeve politike që shoqëruan miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese, shoh si zhvillim të mirë, faktin që palët politike, shumica e tyre, gjetën kohën, mundësinë, maturinë, kryeneçësinë, që një reformë kushtetuese duhet parë me sinqeritet. Dhe nuk duhet parë si një mjet i një loje politike të vogël. Dhe kjo është ndjesia e asaj që quhet të bërit shtetformim. Tani edhe për procesin e zbatimit të reformës, duhet të mos e konsiderojnë si një mjet të lojës politike, pasi në të kundërt dëmi është më i madh. Edhe presioni i ndërkombëtarëve nëse do të jetë i drejtë, simetrik, i vazhduar, nuk do të jetë i dëmshëm për të realizuar reformën ashtu siç duhet”, tha Alibeaj.

Exit mobile version