Ish-kapobandës së Durrësit, Lulzim Berisha i rikthehet nafta e sekuestruar disa muaj më parë nga Operacioni Forca e Ligjit.
Bëhet me dije se, prokuroria e Durrësit e cila përfaqësohet në këtë çështje nga Pali Decolli ka kërkuar heqjen e sekuestros për 1 milion e 200 mijë litrat e naftës.
Pak ditë më parë gjykata i ktheu makinën e blinduar tip BMW Berishës si dhe licencën e shoqërisë “Rajan 2007”. Kështu me vendimin e fundit, Berishës i kthehen licencat përfshirë të gjitha të drejtat për të tregtuar dhe vazhduar biznesin në hidrokarbure.
Në maj të këtij viti OFL sekuestroi 1.2 milionë litra naftë dhe një magazinë doganore në Durrës në pronësi të Lulzim Berishës dhe Enkelejda Shoshit.
OFL arsyetoi asokohe se subjekti “Rajan 2007” në pronësi të tyre, pavarësisht se i ishte hequr licenca më datë 13.02.2019, 9 ditë pasi ish-anëtarit të bandës së Durrësit iu dërgua kërkesa për justifikimin e pasurisë, vijoi punën normalisht për furnizimin me karburant të anijeve të peshkimit në porte në mënyrë të paligjshme duke përdorur shantazhin ndaj konkurrencës dhe duke tentuar të krijojë një monopol kërcënues për operatorët e industrisë së peshkimit.