Sekretari për Çështjet Zgjedhore i PD, Ivi Kaso zbulon farsën e KQZ për të fshehur manipulimin e 30 qershorit.
Në një reagim të publikuar në faqen e tij në Facebook, Ivi Kaso zbulon planin e PS për të mbuluar manipulimin. Do të hapen në Lezhë vetëm 11 kuti ku ka siguri, por nuk hap kutinë e materialeve zgjedhore që zbulon nr e vërtetë të votuesve.
“Nën shembullin e ndritur të “marifetit” me Idajet Beqirin, KQZ ka vendosur që nesër, në vijim të një kërkese ankimore për Bashkinë Lezhë, të hapë dhe të kontrollojë rregullshmërinë e procesit të 30 Qershorit vetëm për 11 qendra votimi ku PS ndihet e sigurt që s’ka patur manipulime.
Qëllimi, jo fort i fshehur është që t’i tregohet botës mbarë se votimet ishin të rregullta e të vlefshme, jo vetëm këtu por në mbarë vendin. Ajo që e nxjerr bllof këtë skemë farsë “dorëzimi të kontrolluar” është se nga frika se mos del në shesh manipulimi me listat e zgjedhësve, në këto qendra, KQZ ka vendosur të mos ta hapë fare kutinë e materialeve zgjedhore. Pra, thënë shkurt e me dy fjalë: Proces farsë për t’u hedhur hi syve njerëzve!”, shkruan Ivi Kaso.