Projekti Orikum-Dukat, kontrata tjetër që është miratuar nga qeveria dhe ka kaluar në Parlament për miratim është një kopje e projektit të denoncuar Milot-Balldre.
Ku qëndrojnë ngjashmëritë?
Subjekti që ka paraqitur propozimin e pakërkuar, propozim i cili është miratuar symbyllas nga Qeveria dhe përfitues i bonusit, është subjekti i cili më pas konkurrent në procedurën konkurruese të shpallur ka pasur vetëm veten, pasi ofertuesi i tjetër ka paraqitur një ofertë “çuditerisht” më të lartë se vlera e parashikuar e projektit, e përcaktuar nga Autoriteti Kontraktor (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë), konkretisht 50,575,020 Euro.
“Rastesia” bën që oferta e propozuesit të pajisur me bonus, të ishte shumë pranë vlerës së mësiperme: 50,552,441 Euro, vetem 23.000 Euro më pak se limiti. Kjo është e kuptueshme kur ke sigurinë që ofertues të tjerë nuk do të ketë, sepse qysh në fillim ky objekt ka qënë pjesë e tepsisë që do të ndahej tek përfitues të paracaktuar;
2. Mungon publikimi i kontratës në shpalljen e procedurës dhe kjo është në kundërshtim me ligjin, pasi paraprakisht subjektet e interesuara duhet të njihen me kushtet e kontratës dhe të vlëresojnë nëse pjesëmarrja paraqet interes apo jo;
3. Në bazë të legjislacionit në fuqi mbi koncesionet dhe PPP-të (VKM nr. 634/2014, neni 7, paragrafi 1 dhe 2), vlera e projektit duhet të përfshijë investimin në total, kostot operative dhe të mirëmbajtjes. Thënë ndryshe, vlera e projektit nuk duhej të shpallej 50,575,020 Euro, por 70,120,750 Euro.
Kjo vlerë e dytë, është vendosur nga autoriteti kontraktor vetëm në shtojcën 21, ku ftohen subjektet e interesuar që, përllogaritja e vlerës totale në modelin financiar, të mos jetë më e lartë se 70,120,750 Euro. Pra, ajo çfarë tenderohej ishte vetëm vlera e kostos së ndërtimit, ndërsa elemente të tjerë, komponentë të vlerës së investimit si hua, interes, kontigjenca, etj. nuk i nënshtroheshin tenderimit.
Për këtë projekt, vlera maksimale me të cilën shteti do të mbështëste privatin ishte 70,120,750 Euro.Në fakt, pas medemek negocimit mes paleve, vlera në fjalë e renë dakord është 67,359,926 Euro.
4. Norma e interesit për huanë që do të merret nga institucion financiar është po 5%; 5. Vlera e investimit me kapitalin e shoqerisë do të jete 21,771,548 Euro. Referuar bilancit të vitit 2017 (procedura është zhvilluar pa u mbyllur viti financiar 2018), shoqeria ka total aktive në vlerën 2,604,257,397 lekë, pra rreth 21 milion Euro. Mirepo, është materialisht dhe financiarisht e pamundur që të gjitha aktivet e shoqërisë të angazhohen në një projekt;
6. Referuar tabelës së pagesave për projektet PPP, vlera e mbështetjes buxhetore për këtë projekt nga viti 2021 deri në vitin 2032 shkon në vlerën 11,781,000,000 lekë (rreth 97 mln Euro) me TVSH, ose rreth 80 milion Euro pa TVSH. Pra, vlera e mbështëtjes buxhetore nuk mjaftohet me atë të rënë dakord mes paleve, 67,359,926 Euro, por potencialisht, në vijim të ndryshimeve të projektit që kanë të drejtë të kërkojnë palet, mund të shkojë deri 80 milion Euro, pa TVSH, 13 milion Euro më shumë sesa do të jetë përcaktimi në kontratën e partneritetit hajdut-hajdut;
7. Monedha e përzgjedhur nga autoriteti është Euro dhe jo Lek.
Sigurisht, vlerat e kësaj kontrate janë disa herë me të ulta sesa ato të projektit Milot-Balldren, por duhet të kemi parasysh që në projektin konkret, nuk kemi të bëjmë me kategori “autostrade”, por thjesht dhe vetëm rehabilitim i segmentit ekzistues. Vlera e abuzimit, në këtë menyrë, janë përpjestimisht në të njejtat përmasa të segmentit Milot-Balldren.
Departamenti i Antikorrupsionit në PD