Pas ngadalësimit në vitin 2024, ecuria e industrisë automotive në dorë të tregjeve globale

Rikuperimi me 15% i eksporteve të grupit ”Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” në nëntor 2024, ku bën pjesë edhe industria automotive, ishte një pikë kthese pozitive pas thuajse një rënie konstante të këtij grupi nga janari në tetor.

Konkretisht, mallrat e këtij grupi në janar-tetor shënuan vlerën 31.6 miliardë lekë, apo rreth 316 milionë euro. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia ishte me 5.1%. Përfaqësuesit e kompanive automotive e cilësuan vitin 2024 sfidues në lidhje me faktorët e brendshëm, por edhe atyre të jashtëm në tregun global të automobilave.

Në të gjithë skenarët e përmirësuar të zhvillimeve të brendshme, duket se vendimtare këtë vit do të jetë ecuria e tregjeve të automobilave në Europë, por edhe më gjerë.

Industria automotive në vend e sheh këtë vit më me optimizëm. Eris Jaçaj, nga kompania “Forschner Albania”, thotë se viti 2025 pritet të jetë më i mirë se viti që lamë pas.

“Në tregun global u përballëm me rënie të kërkesës, e theksuar kryesisht në tremujorin e fundit të vitit 2024, megjithëse pritshmëritë dhe parashikimet ishin për një rritje.

Një pjesë e klientëve kanë shtyrë kërkesat e tyre për tremujorin e parë të këtij viti. Kjo na jep besim se ngadalësimi ka karakter të përkohshëm dhe në vitin 2025 do t’i rikthehemi trendit rritës të industrisë”, vlerëson z. Jaçaj.

Edhe Ertjan Çabiri, nga “Delmon Albania”, thotë se ngadalësimi i reflektuar te kompanitë që prodhojnë pjesë të thjeshta si kabllo dhe gomina për klientët e mëdhenj në industrinë e automobilave vjen si efekt i zhvillimeve te grupet e mëdha, kryesisht europiane.

“Gjatë vitit të shkuar, tregu i automobilave ka pasur një rënie të shitjeve në krahasim me shitjet e buxhetuara për shumicën e kompanive të mëdha europiane si ‘Stellantis’, ‘Renault Group’, ‘Volkswagen’ etj.

Kjo ka ndodhur kryesisht prej rënies së kërkesës, por edhe rritjes së ofertës dhe konkurrencës nga makinat elektrike të markave kineze. Rrjedhimisht, edhe për kompaninë tonë, si furnitor i tyre, ka pasur rënie të shitjeve me rreth 10% nga parashikimi.

Si përgjigje për rënien e porosive, u fokusuam te rritja e produktivitetit dhe ulja e kostove në përgjithësi, për të arritur objektivat e planifikuara financiare”, tha z. Çabiri.

Pritshmëri optimiste, por tregu i automobilave mbetet i paqartë

Tregu europian i automobilave, por edhe më gjerë ai global, duket se sot për sot mbetet i paqartë për drejtimin që do të marrë gjatë këtij viti. Konkretisht, tregu po përballet me atë që shumë njohës të fushës e kanë cilësuar si “stuhia perfekte”.

Ata parashikojnë tkurrje të shitjeve për gjigantët si ‘Volskwagen’ dhe ‘Stellanis’ ndërthurur me kufizimet për emetimet apo problemet e forcës punëtore.

Dilema më e madhe e këtij tregu duket se janë makinat elektrike, që për disa segmente po ecin mjaft mirë, e për të tjerë po duken një tentativë epike pa rezultat.

Gjatë vitit të shkuar, kryefjalë e shumë temave ishte konkurrenca që vinte nga makinat elektrike të prodhuara në Kinë dhe kjo do të mbetet temë kyçe edhe këtë vit.

Për shumë prej prodhuesve, gjasat janë që ky të jetë një tjetër vit i zymtë, kur planet për elektrifikimin kanë ecur ngadalë, si dhe revanshi i Kinës mbetet i palëkundur.

Një industri që mbetet poshtë niveleve të parapandemisë duket se nuk mund të japë asnjë efekt domethënës pozitiv në zinxhirin e saj mbështetës, aty ku në ekstremet e saj bëjnë pjesë edhe kompanitë e vendosura në Shqipëri.

Konkretisht, numri i tyre është rritur vit pas viti, edhe pse zgjerimi i mëtejshëm është vënë në pikëpyetje për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të konsiderueshme që kërkohet për fabrikat e këtij profili.

Sot në vend operojnë disa të tilla, duke nisur nga “Forschner Albania” te “Delmon Group Albania”, “PSZ Albania”, “Yura Corporation”, “SEWS Cabind Albania” apo “Everest Automotive”.

Euro, dhembja e kokës e vitit të shkuar për eksportuesit, përfshi industrinë automotive

Fabrikat shqiptare që prodhojnë fasoneri të thjeshtë (pajisje, gomina apo kabllo) për kompani si “Mercedez Benz”, “KIA”, “Hyundai”, “Peugeot”, “Renault”, “Fiat Group” apo “Sumitomo Electric Industries” kanë kontrata paraprake mbi porositë që duhet të dërgojnë pranë klientëve.

Këto kompani kanë çmime të paracaktuara për punën e tyre dhe pagesat i marrin në Euro, teksa pagesat në tregun vendas për zëra të ndryshëm duhet t’i bëjnë në Lek.

Niveli i ri i Euros, që në vitin 2024 njohu rekorde të tjera të minimumit historik në raport me Lekun, rriti presionin për këto kompani, ashtu siç ka ndodhur me shumicën e eksportuesve.

“Trendi shqetësues i Euros pa diskutim që ka ndikim negativ të drejtpërdrejtë në rezultatet e kompanisë, kryesisht bazuar në faktin që mbi 75% e kostove tona operacionale janë në monedhën vendase, duke na krijuar pamundësinë e marrjes së masave për të shmangur këtë efekt.

Ky faktor shoqërohet edhe me presionin e vazhduar të klientëve për të mbajtur një çmim të pandryshuar, pavarësisht ndryshimit të kostove, e vendos edhe sektorin automotiv në të njëjtën linjë rreziku si gjithë bizneset eksportuese në vend”, pohon Eris Jaçaj, Drejtor Menaxherial i “Forschner Albania”.

Duke qenë të destinuara të prodhojnë vetëm për tregjet e huaja, thuajse të gjitha kompanitë automotive në vend janë të ndikuara nga zhvlerësimi i Euros.

“Efektet e rritjes së vlerës së Lekut në krahasim me Euron janë negative për bizneset eksportuese, që kanë kontrata të rëna dakord për shitje në Euro.

Për çdo euro shitje, kostot e prodhimit në Shqipëri, nëse konvertohen në Euro, janë rritur prej forcimit të Lekut me hapa galopantë.

Sigurisht kjo ndikon negativisht në konkurrueshmërinë e Shqipërisë për projektet e reja”, – shprehet Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i “Delmon Group Shqipëri”./ Nertila Maho/monitor.al

Artikulli paraprakIroni e fatit, UNECSO e cilësoi si jo efikase kalimin e kopshteve dhe çerdheve në varësi të bashkive, Erion Veliaj propagandon të kundërtën
Artikulli tjetërRënia e eksporteve/ Materialet e ndërtimit dhe tekstilet më të prekurat edhe prej rënies së Euros