Pas Obamacare nën shënjestër është CIA

Ndërkohë që Presidenti Donald Trump e mbylli ceremoninë e inaugurimit dhe iu kthye qeverisjes, ai lëshoi sinjale se ka ndërmend të lëvizë shpejt duke realizuar një shkëputje të pastër nga administrata Obama.
Trump kaloi natën e parë në Shtëpinë e Bardhë dhe ishte planifikuar që ta niste ditën e parë si president në shërbesën e lutjes kombëtare të shtunën në mëngjes. Takimi tradicional përbën copëzën e fundit të ritualit të tranzicionit për presidentin e ri përpara se ai të nisë nga puna.
Trump hodhi hapin e parë në atë drejtim që të premten. Përpara se të vinte në ballon inauguruese, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv me qëllim anulimin e firmës së ish-Presidentit Barack Obama në ligjin e përkujdesit shëndetësor. Urdhri thotë se Trump planifikon të kërkojë “anulim të menjëhershëm” të ligjit. Por ndërkohë, lejon Departamentin e Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Njerëzore dhe të tjera agjenci federale të shtyjnë zbatimin e çdo copëze të ligjit që mund të imponojë një “detyrim fiskal” për shtetet, ofruesit e kujdesit shëndetësor, familjet apo individët.
Gjithashtu Trump qartësoi rrugën për anëtarët e skuadrës së tij të sigurisë kombëtare për të zënë vendet e tyre. Ai firmosi një ligj që i jep mundësinë James Mattis, zgjedhja e tij për sekretar të Mbrojtjes, të marrë postin. Kjo firmë konsiston në një shtesë të ligjit pasi parashikon që Mattis të jetë një përjashtim për të parën herë, sepse legjislacioni ekzistues federal nuk lejonte pjesëtarët e ushtrisë të SHBA, të cilët kanë qenë civilë për më pak se shtatë vjet të mbajnë postin e shefit të Pentagonit. Ky kusht nënkuptonte garantimin e kontrollit civil të ushtrisë. Mattis është 66 vjeç dhe u tërhoq nga trupa elite Marine Corps në vitin 2013. Pak orë më pas, Mattis u miratua nga Senati, ndërkohë që Trump po shihte paradën e inaugurimit të tij nga një verandë jashtë Shtëpisë së Bardhë. Më pas Senati gjithashtu konfirmoi Gjeneralin në pension, John Kelly si shef i Departamentit të “Homeland Security”. Zëvendëspresidenti Mike Pence drejtoi edhe betimin e të dyve më vonë të premten.
Po të premten, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus, lëshoi një memorandum me qëllim ngrirjen e disa rregullave të reja dhe ndalimin e atyre rregullave që kishte nisur administrata Obama.
Trump kërkoi që në fillim të lërë gjurmën e tij në detyrën e qeverisjes gjithashtu duke freskuar komentet e tij në tre ballot inauguruese me referime për “rezultate të rreme”, fitore fushate dhe media sociale.
“Më lejoni t’ju pyes ju: a duhet që unë të vazhdoj në Twitter?”, pyeti ai një grup mbështetësish që brohorisnin përpara se ai të vallëzonte me bashkëshorten Melania, nën tingujt e këngës së Frank Sinatrës “My Way” (“Udha ime”) në ballon e dytë inauguruese. “Armiqtë vazhdojnë të thonë, ‘Oh ajo është e tmerrshme’, por është një rrugë për të tejkaluar median e pandershme”.
Të shtunën, Trump mori pjesë në një shërbim lutje në Katedralen Kombëtare në Washington, një qark episkopal që në fakt ka një rol dyfish edhe si një vend takimesh qytetare. Katedralja prej vitesh organizon shërbimin e lutjes për presidentin e ri. Megjithatë respektimi i traditës ka nxitur debate këtë vit mes episkopalianëve që kundërshtojnë politikat e Trump.
Është i fundit shembull reagimi të ashpër kundër liderëve fetarë, artistëve, njerëzve të famshëm dhe të tjerëve pjesëmarrës përreth eventeve të inaugurimit.
Ndërkohë që disa anëtarë të kësaj bashkësie të gjerë liberalësh kundërshtuan shërbimin e pritjes, peshkopja Mariann Budde e Dioqezës Episkopale të Washingtonit shkruajti në një blog një postim që e ndau me të gjithë “një ndjenjë cenimi tek unë në disa nga fjalët dhe veprimet e presidentit të zgjedhur”, por megjithatë ajo ndjente detyrimin të mirëpresë çdo njeri pa bërë klasifikime, veçanërisht ata që nuk janë dakord dhe kanë nevojë të gjejnë një rrugë për të punuar së bashku.
Në programin e Trump gjithashtu ishte edhe një vizitë në CIA të shtunën, për t’u takuar me punonjës të komunitetit kombëtar të inteligjencës. Takimi pritet të jetë shumë i tensionuar. Trump ka kritikuar ashpër zyrtarë të agjencisë kryesore të inteligjencës së kombit për deklaratat e tyre rreth ndërhyrjeve ruse në kompjuterat e fushatës së kandidates demokrate dhe rrjedhjet e informacionit rreth takimeve të presidentit disa javë përpara se ai të bënte betimin.
Megjithatë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer i tha reporterëve përpara inaugurimit se vizita do të përfshinte disa departamente dhe Trump ka mendimin që të shprehë mirënjohjen e tij për shërbimin e tyre kundrejt atdheut.

Artikulli paraprakVendimi i fundit i Obamës, liroi 313 trafikantë droge
Artikulli tjetërKartat e Moskës