Pas pandemisë Covid-19, qiraja ditore shtrenjton mesatarisht 15 deri në 20% çdo vit koston e strehimit

Prej vitit 2021, rritja e numrit të apartamenteve për qira ditore, po pakëson stokun e apartamenteve që lëshon me qira afatgjatë.

“Shtimi i stokut të apartamenteve/vilave në platformat, si: Airbnb dhe Booking ka ndikim të menjëhershëm negativ mbi stokun i cili përdoret për qëllime afatgjatë.

Kjo do të thotë se ai stok i mbetur në mënyrë të menjëhershme shtrenjtohet. Vende si Spanja, në qytete me turizëm masiv, madje këtë vit kanë vendosur një moratorium mbi përdorimin e platformës Airbnb dhe ndalim të përdorimit të saj brenda 2029.

Airbnb dhe platforma të ngjashme janë parë si platforma kundërshtuese përkundrejt sektorit të hotelerisë që punëson një pjesë të konsiderueshme të sektorit të turizmit dhe është një ndër tatimpaguesit më të mëdhenj të vendit”, thotë Stela Dhami.

Por për drejtuesin e agjencisë imobiliare “CPM”, z. Dritan Leka, zgjerimi i kësaj industrie ende nuk sjell ndikim te strehimi i popullatës. Për të, rritja e kërkesës për të investuar në apartamente me qira afatshkurtër është një ndër faktorët që ka shtrenjtuar çmimet e pronave.

“Kjo pasi investitori shqiptar është skeptik. Nuk e bazon të gjithë portofolin e tij në këtë sektor. Por edhe në atë të qirasë afatgjatë. Kjo pasi rreziku dhe angazhimi është shumë më i ulët.

Ndikimi që ka ky zhvillim në industrinë e pasurive të paluajtshme është te rritja e kërkesës për investim në prona, si pasojë edhe i shitjes”.

Rënia e stokut të ndërtesave, sipas znj. Dhami, ka ndikuar te rritja e çmimeve të qirave për afat të gjatë në Tiranë.

“Çmimet e qirave janë rritur. Tendenca ka filluar të vërehet që pas periudhës së pandemisë. Aktualisht, vit pas viti, qiratë janë rritur në zonat qendrore mbi 15% në bazë vjetore. Zonat qendrore të Tiranës kanë vërejtur rritje deri në 20%”.

Ndërsa Dritan Leka pohon se shtimi i kostos për strehim ka ndjekur trendin e rritjes së të ardhurave mesatare.

“Kostoja e strehimit ndjek një rrjedhë logjike, ku vlera e pronës është e barabartë me vlerën mesatare të të ardhurave të njërit prej familjarëve për 20 vite.

Ndërsa qiraja vjetore është e barabartë me 3 deri në 6% të vlerës së pronës. Për rrjedhojë, nëse paga mesatare dhe të ardhurat individuale, do të vijnë duke u rritur, ashtu sikurse ka ndodhur 5 vitet e fundit, edhe kostot për strehim do të rriten”.

Agjentët imobiliarë më herët vlerësuan se në muajin shtator 2023, periudhë që përkon me shtimin e kërkesës, çmimet e qirave afatgjatë të apartamenteve u shtrenjtuan me 35% krahasuar vitin paraardhës, për shkak të zgjerimit të tregut të qirasë afatshkurtër.

Çmimet e qirave për apartamentet 1+1 varionin nga 350 euro për zonat periferike deri në 750 euro në muaj për zonën e ish-Bllokut.

Për apartamentet 2+1, çmimet nisnin nga 450 euro dhe njësitë me hapësirë 1+1 ishin me qira 350 euro në muaj në zona e Freskut deri në 1,200 euro për zonën pranë stadiumit “Air Albania”.

Ndërsa çmimet e qirave në zonat afër qendrës së Tiranës janë mbi 300 euro. Brenda Unazës së Vogël të Tiranës, çmimet e qirave për apartamentet 1+1 janë mbi 300 euro, ndërsa për pronat 2+1, çmimet janë mbi 400 euro në muaj.

Më të prekur nga shtrenjtimi i qirave janë ata që kërkojnë të banojnë në zonat afër qendrës së Tiranës.

“Qiraja ditore ka rritur çmimet e qirave në zonat qendrorë të Tiranë. Për zonat e tjera, çmimi i qirasë afatgjatë është i qëndrueshëm”, pohon agjentja imobiliare, Lorena Radi.

Vitin e kaluar, agjentët e shitjes konstatuan gjithashtu se apartamentet e marra me qira nga 2021 deri në vitin 2022 nuk liroheshin nga qiramarrësit, pasi ishin marrë me tarifa më të lira sesa tregu.

Stela Dhami rekomandon se në këtë situatë, kur kostoja për strehim është rritur, është e domosdoshme që qeveria të ndërhyjë me politika fiskale për të ndihmuar çiftet e reja për të blerë pasuri të paluajtshme, duke i lehtësuar edhe në formën e kredive të buta afatgjatë.

 

Shtëpitë me qira ditore po dëmtojnë edhe hotelerinë

Gjatë sezonit turistik, të parët që e ndiejnë goditjen e konkurrencës nga shtimi i strukturave me qira ditore janë hotelet.

Si për drejtuesit e hoteleve, edhe ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, turistët e huaj që vijnë në Shqipëri parapëlqejnë më tepër të qëndrojnë në apartamente me qira sesa në hotele.

Si fillim, këto struktura mbeten më të kërkuara, për shkak të leverdishmërisë së çmimit, por edhe pasi turistët janë më tepër në kërkim të një hapësire që përfshin kuzhinën për të gatuar.

“Prej vitesh ne vuajmë problematikën e shtimit të strukturave akomoduese të qirasë ditore, që listohen në platformat e huaja.

Turisti low cost që vjen në Shqipëri parapëlqen të qëndrojë në një apartament apo vilë me qira, sesa në hotel për shkak të çmimit dhe shmangies së shpenzimeve për restorant.

Në Vlorë janë të shumta apartamentet luksoze me qira ditore me çmime deri në 50 euro/nata. Ka një shtim të këtyre strukturave veçanërisht në pallatet e reja që ofrojnë ashensor apo shërbime të tjera.

Për hotelerinë është tërësisht nën kosto që çmimi i qëndrimit të mbahet në këto nivele. Në këtë situatë, punojmë më tepër me emigrantë shqiptarë që jetojnë jashtë, sesa me të huaj”, pohon për “Monitor”, Rezarta Bojko, menaxhare e hotelit “Lungomare” në Vlorë.

Për 636 apartamentet e listuara në Booking për qira ditore, në korrik në qytetin e Vlorës, çmimi për 1 natë qëndrimi për fundjavë, përkatësisht për datën 26 korrik, varion nga 37 USD për apartamente me largësi 2 km larg qendrës deri në 49 USD për pronat me largësi 100 metra larg nga deti apo deri në 62 USD që arrin çmimi maksimal me detin përballë.

Ndërsa çmimet e hoteleve po në bregdetin e Vlorës nisin nga 65, 85, 100 USD/nata deri në hotele me 4 yje, me çmime 200 deri në 250 USD nata.

Edhe për Stela Dhamin, nga “Colliers International Albania”, çmimi më i lirë dhe më i përballueshëm sesa hotelet mbetet arsyeja kryesore përse të huajt parapëlqejnë shtëpitë me qira.

“Pjesa më e madhe e turistëve, të cilët tërheqim si vend, janë turistë ekonomikë. Për rrjedhojë, apartamentet të cilat mund të kenë një shfrytëzim maksimal, duke ofruar raport të mirë cilësi/çmim, mbeten shumë tërheqëse.

Të mos të harrojmë se hotelet në Tiranë janë kryesisht moderne dhe raporti cilësi-çmim, anon në mënyrë të zhdrejtë drejt çmimit.

Cilësia e ofruar mbetet e lartë, por jo gjithmonë e përballueshme nga niveli i turistëve që vijnë kryesisht në Shqipëri, për arsye të çmimeve më tërheqëse se vendet e tjera të rajonit”.

Pozitive janë edhe përshtypjet e të huajve që kanë qëndruar në apartamente me qira në qytetet Durrës, Vlorë dhe Sarandë të publikuara në Booking dhe Airbnb në muajt qershor-korrik 2024.

“Apartament shumë i pastër, i gjerë. Shërbim shumë i mirë. Vendndodhje e shkëlqyer, shumë afër plazhit, 10 minuta më këmbë në shëtitore. Dhoma ia vlen me çmimin. E rekomandoj”, janë përshtypjet e lëna më 17 korrik të Monikës nga Polonia për qëndrimin e saj në apartamentin me qira ditore.

Xhorxhi nga Austria në komentin e lënë në 9 qershor 2024, gjithashtu tregon mbi përvojën pozitive për qëndrimin në një nga apartamentet në Jug.

“Një pronë e mrekullueshme me mikpritës profesionistë dhe të sjellshëm.

Rezervuam një apartament familjar, i cili ishte i dekoruar mirë dhe ndodhej në një zonë të qetë, afër të gjitha lehtësive që i duhen një familje, si: supermarkete, hoteleri dhe kafene.

Apartamenti ishte i përshtatshëm dhe 3 minuta më këmbë nga qendra e qytetit dhe shëtitoret kryesore.

Stafi ishte shumë profesionist dhe ata gjithashtu na rekomanduan se cilat vende të vizitonim dhe çfarë të bënim në atë qytet të bukur”.

Maria nga Danimarka, në komentin e lënë në 11 korrik 2024, shkruan ndër të tjera, se “shtëpia ishte shumë e pastër dhe e qetë, me vlerë të madhe krahasuar me paratë.

Përvoja më e mirë jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta në të gjithë Ballkanin. Pronarët ishin njerëz jashtëzakonisht të mirë dhe të dobishëm. Nuk mund të gjesh njerëz të tillë në vende të tjera”.

Artikulli paraprakNga Preç Zogaj: 21 janari 2011, para dhe pas plojës
Artikulli tjetërReagimi i PD – Demokratët Euroatlantikë, Elezi: 7 vetëvrasje brenda dy ditësh në Shqipëri. Kambanë alarmi!