Pas prishjes së Teatrit, rradhën e ka Pallati i Sportit ku do ngrihet një tjetër kullë

Në vend të teatrit planifikohet ndërtimi i një kulle me 43 kate, leja e të cilës do të jepet nga Rama dhe do të jetë në bashkëpronësi me një biznesmen nga rrethi i ngushtë i kreut të qeverisë. Plani parashikon zhvendosjen e teatrit në një magazinë, të cilës Rama i ka vendosur emrin “Turbina”. Deri tani qeveria nuk ka pranuar të japë asnjë detaj për atë që do të ndodhë me vendin, ku sot është Teatri Kombëtar. Burime nga Bashkia sqarojnë se është përgatitur edhe projekti i kullës që do të ngrihet me 43 kate. Burime të tjera sqarojnë se, investimi do të jetë pjesë e një grupi njerëzish të rrethit të ngushtë të Ramës pavarësisht se në publik do të dalë vetëm një nga biznesmenët. Pas këtij ndërtimi fshihet një pastrim i parave të pista kryesisht të drogës të akumuluara gjatë viteve të fundit nga njerëzit e afërt të Ramës.
Ndërtimi i një kulle në vend të Teatrit Kombëtar ka qenë një plan i Ramës edhe gjatë kohës që ai ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës. Edhe atëherë Rama tentoi të zhvendosë Teatrin për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullës, por kjo hasi në protesta të forta të komunitetit të artistëve. Në atë kohë në krye të qeverisë ishte Berisha, i cili u doli në krah artistëve dhe deklaroi se nuk do të lejojë ndërtimin e kullës. Tani që Rama është edhe në krye të qeverisë edhe në krye të Bashkisë sikurse dhe ka edhe paratë e drogës me vete për ta ndërtuar, projekti duket më afër se kurrë për t’u realizuar.
Por jo çdo gjë do të përfundojë këtu. Pas prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit në të një kulle 43 kate, rradhën do ta ketë një tjetër institucion sporti. Bëhet fjalë për Pallatin e Sportit, Asllan Rusi, i cili po ashtu si teatri do të prishet për të ngritur një tjetër kullë.

“Turbina” në ndërtesën e ish-Laboratorit Hidroteknik

Rama ka folur për herë të parë për shqetësimin e ngritur nga artistët për Teatrin Kombëtar. Kryeministri nuk u ka kthyer përgjigje drejtpërdrejt aktorëve, por komentuesve në Facebook dhe ka deklaruar se projekti i tij do të vazhdojë dhe nuk pranon leksione nga askush. Sipas tij, debati për të mbrojtur godinën e rrënuar të teatrit, është pa asnjë vlerë e asnjë kuptim sot.
Qytetari: E dëgjove Robert Ndrenikën Edo? Po Bujar Asqeriun? Folën nga plasja shpirtit… kështu jemi pothuaj të gjithë, edhe pse të japim votën që të mos fitojë më ai Qoftëlargu!
Rama: Jo Andi nuk i kam dëgjuar dhe nuk e di çfarë plasje kanë, po di që debati për të mbrojtur godinën e rrënuar të Teatrit, është një debat i stërvjetër, i stërlodhur dhe pa asnjë vlerë e asnjë kuptim sot! Sa ka bërë qeveria ime për teatrot, muzetë, stadiumet në vetëm 4 vjet nuk i kanë bërë të gjitha qeveritë bashkë në 25 vjet! Nuk mjaftojnë? Aspak. Por ama leksione të asnjë lloji s’na jep dot askush dhe në këto katër vjet do bëjmë ende më shumë, përfshirë edhe Teatrin e Ri Kombëtar, duan s’duan ata që s’dinë çfarë duan!

Exit mobile version