Pas reagimeve në PS, Kosta: Sqarimet i jap pas 21 korrikut

Deputeti i larguar nga Partia Socialiste, Vladimir Kosta ka reaguar pas akuzave të socialistëve një ditë pasi deklaroi largimin nga Grupi parlamentar i PS përmes një letre publike. Në një status në Facebook, Kosta deklaron votën e tij pro Reformës në Drejtësi dhe thotë se do t’i votojë ndryshimet kushtetuese sipas rekomandimit të SHBA-së dhe BE-së. “Duke marrë shkak nga shpifjet dhe spekulimet mediatike, të bëra pas deklaratës time të djeshme, dëshiroj të bëj me dije se: ‘Si patriot dhe socialist, deklaroj votën time pro Reformës së Drejtësisë, siç rekomandohet nga SHBA dhe BE. Prandaj sqarimet e mia të mëtejshme do t’i bëj publike vetëm pas 21 korrikut 2016, pra pasi të votohet në Kuvend Reforma e Drejtësisë’. Faleminderit”, shkruan deputeti Vladimir Kosta në Facebook. Ministri Ahmetaj, deputetët Balla e Braçe dhe kreu i OSHEE, Ardian Çela reaguan dje pas letrës së deputetit Vladimir Kosta, duke thënë se akuzat e bëra prej tij vijnë për shkak të Reformës në Drejtësi. Më 21 korrik, në Parlament pritet që të votohet drafti me ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi.
Deputeti socialist Vladimir Kosta deklaroi të hënën largimin nga grupi i PS. Ai denoncoi  aferat e Ramës dhe e akuzoi atë se po drejton qeverinë me njerëz të paaftë.  Deputeti i Partisë Socialiste i qarkut të Gjirokastrës, Kosta ka shpërthyer me akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar largimin e tij nga grupi parlamentar socialist. Në një letër të hapur, Vladimir Kristo shpjegoi të gjitha arsyet e motivet që e çuan të merrte këtë vendim. Deputeti shkruan se për shkak të armiqësisë së tij me ministrin Arben Ahmetaj, hiqeshin nga puna mbështetësit e deputetit. Ai ka përmendur edhe një rast konkret, kur një mbështetës i tij që punonte tek Tatimet u pushua nga Drejtoresha e Tatimeve Briseida Shehaj me porosi të Arben Ahmetajt.

Artikulli paraprakIronia e Dokles për Ramën: Krenaristëve dhe kanabistëve iu shtua edhe llapisti
Artikulli tjetërEdhe deputetja e Vlorës i shkruan Ramës: Gati largimi nga grupi i PS