Pas Roshit, hetimet në Spanjë për Edvinin

Ish-kryeministri Berisha paralajmëron zbardhjen e të dhënave të reja që do të provojnë arsyet që çuan Ramën të ndryshonte emrin e tij nga Edvin në Edi në vitin 2002. Përmes një postimi në Facebook, Berisha reagoi dje ndaj arrestimit të Elvis Rroshit ndërsa i bëri të ditur Ramës se të dhëna të reja do të publikohen mbi ndryshimin e emrit të tij. “Pas arrestimit të Rroshit për fshehjen e pesë dënimeve për pesë krime dhe përdorimin e pesë emrave në Itali, Zvicër dhe Shqipëri, Edvin Shullazi, që betohej publikisht për ndershmërinë dhe integritetin e kriminelit të tij, shkruan tani në FB e Rroshit statusin e radhës “fajin e ka Berisha”. Edvini, në statusin e pasarrestimit në FB e Ervinit të tij, betohet se nga burgu ku e burgosi Saliu ai do të dalë më i fortë se kurrë. Me këtë rast dua t’i them Edvin Shullazit mendo se të dhëna të reja po dalin mbi shkaqet e ndryshimit në vitin 2002 të emrit tënd nga Edvin në Edi dhe atëherë jo që nuk do të mund të shkruash më statuse për kriminelin Ervin/Elvisin, por as dhe për kriminelin Edvin/Edi dhe se ty në FB tënd askush nuk do të shkruajë” shkruan Berisha në reagimin e tij. Ish kryeministri Berisha pak javë më parë akuzoi Ramën në Parlament se është i përfshirë në një krim në një nga hotelet e Spanjës, ngjarje që më pas e detyroi atë të ndryshonte edhe emrin nga Edvin në Edi. “Ai të vijë këtu të tregojë se nga Edvin u bë Edi për shkak të dosjes spanjolle, për shkak të Kadriovskit, për shkak të akuzave të Kadriovskit e shkaqeve të tjera që duhet t’i sqarojë, sepse ai ndërrim emri në një kohë kur pikërisht janë përfolur këto që them unë, në një kohë kur mediat e kanë akuzuar për një krim të tmerrshëm në hotelet e Spanjës, në një kohë kur Kadriovski e akuzonte në një letër për të shoqen, Dilën, implikim direkt, janë në media të gjitha këto” tha Berisha në Parlament.

Exit mobile version