Pas Rrugës së Kombit edhe rruga e Arbrit me pagesë, Çupi ngre dyshimet për tarifë 8 euro, ministrja nuk e mohon

Rrugët me pagesë të qeverisë Rama, pas Rrugës së Kombit, edhe rruga e Arbrit me pagesë? Dhurata Çupi ngre dyshimet për tarifë 8 euro vajtje-ardhje, Ministrja e Financave nuk e mohon.

Në Komisionin e Ligjeve Dhurata Çupi i ka drejtuar një pyetje Ministres së Financave në lidhje me taksën 4 Euro për “Rrugën e Arbrit”. Ajo theksoi se një qytetar nga qarku më i varfër i Shqipërisë, do të duhet të paguajë 8 euro vajtje-ardhje Tiranë – Dibër. Kjo është një pagesë plus pagesave që qeveria i kryen koncesionarit nga taksat e shqiptarëve.

“Kryeministri deklaroi se “Rruga e Arbrit” inaugurohet brenda vitit 2021, por ka të dhëna se do të vendoset një tarifë 4 euro për 1 kalim për dibranët dhe qytetarët që do të kalojnë në “Rrugën e Arbrit”. Qytetari do të paguajë 4 euro të vijë në Tiranë dhe 4 euro të shkojë në Dibër, ndërkohë që flasim për qarkun më të varfër të Shqipërisë. Është parashikuar në buxhetin 2022 kjo taksë që u vendoset dibranëve?”, ishte pyetja të cilën e shtroi deputetja Çupi.

Ministrja e Financave nuk e mohoi këtë informacion të deputetes së Matit, Dhurata Çupi, duke u përgjigjur vetëm për pagesën standard të koncesioanrit, por pa saktësuar, nëse kontrata me të përfshin edhe pagesën 4 euro për 1 kalim.

Delina Ibrahimaj: Për këtë kërkesë nuk ka asnjë parashikim buxhetor aktualisht. Ky është një koncesion PPP, kemi parashikuar pagesën e këtij koncesioni në bazë të dokumentacionit që kemi aktualisht në dispozicion dhe kontratës konçesionare.

Dhurata Çupi: Kontrata konçesionare parashikon tarifën 4 euro?

Delina Ibrahimaj: Unë e ktheva përgjigjen time.

Artikulli paraprakRepublikanët fitojnë zgjedhjet në Virgjinia, kthesa e madhe pas zgjedhjeve presidenciale
Artikulli tjetërKërkohet dorëheqja e Zuckerberg nga Facebook