Qeveria shqiptare do të paguajë edhe 4.3 milionë euro të tjera shtesë për rrugën Korçë-Ersekë në justifikimin e rishikimit të projektit. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka modifikuar kontratën me kompania ndërtuese të rrugës A.N.K duke shtuar kostot për realizimin e punimeve të reja në terren. Kjo e çon koston totale të pjesës së dytë, të lotit të dytë të kësaj rrugë në 26 milionë euro pa TVSH.
ARRSH nuk shpalli tender të ri për punimet shtesë por ja akordoi direkt kontratën kompanisë A.N.K. Në dokumentet shoqëruese të kontratës ARRSH argumenton se kjo formë rezulton më pak e kushtueshme, për shkak se dhënia e kontratës tek një kompani tjetër do të kishte kosto më të lartë për shkak të mobilizimit të kantierit dhe zërave të tjerë që sjell ndryshimi i kontraktorit.
Sa i takon ndryshimeve të projektit, në dokumente thuhet se është kryer rishikim i projektit të urës mbi përroin e Selenicës, pasi gjatë zbatimit rezultoi se ura e parashikuar në projektin e tenderuar nuk e mbulonte gjerësinë e shtratit të lumit, i cili në periudha të ndryshme të vitit zgjeron shtratin e tij.
Po ashtu, është kryer rishikim i projektit në lidhje me përmirësimin e tabanit të rrugës për shkak se gjatë zbatimit të punimeve është hasur prezencë e ujërave në thellësinë e gërmimit 2.5 – 3 m.
Shkak për modifikimin e kontratës është bërë edhe ndryshimi i volumeve për shkak të mospërputhjes së projektit me faktin në terren, si dhe mospërputhje e projektit me preventivin. Modifikimi i kontratës është firmosur në 30 gusht, ndërsa afati për përfundimin e punimeve ka shkuar në 22 muaj, nga 18 muaj që ishte afati fillestar.
Shembja
Në mars të këtij viti rruga Korçë-Ersekë u shemb pa u inauguruar duke u bërë e pakalueshme. Shembja ndodhi në vendin e quajtur Qafa e Qarrit, që është në pjesën e parë të lotit të dytë. Fondet shtesë që qeveria është duke akorduar tani i përkasin një tjetër segmenti, që është në pjesën e dytë të lotit të dytë dhe nuk kanë lidhje me shembjen.
Sipas qeverisë, segmenti i shembur do të riparohet me paratë e vetë kompanisë ndërtuese, pa kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Por shtesa e fundit prej 4.3 milionë eurosh është për shkak të rishikimit të projektit, pasi projekti i mëparshëm sipas ARRSH kishte gabime dhe nuk përputhej me preventivin.