Pas shqetësimeve të Trump për ndërhyrjen e Kinës, portet në Kanalin e Panamasë do të vihen nën kontrollin amerikan

Konglomerati me bazë në Hong Kong, “CK Hutchison Holding” i cili operon portet pranë Kanalit të Panamasë, ka rënë dakord që t’i shesë aksionet e saj një grupi biznesi, ku përfshihet edhe firma amerikane “BlackRock”. Zhvillimi vjen pasi Presidenti Trump shprehu shqetësimet për ndërhyrje të Kinës në veprimtaritë e kësaj rruge të rëndësishme tregtare që lidh Atlantikun me Paqësorin.

 

Në dokumentet e paraqitura autoriteteve, konglomerati “CK Hutchison Holding” tha të martën se do të shesë të gjitha aksionet e dy njësive të saj, “Hutchison Port Holdings” dhe “Hutchison Port Group Holdings”. Të dy njësitë përbëjnë 80% të grupit “Hutchison Ports” që operon 43 porte në 23 vende.

Konsorciumi, i përbërë nga “BlackRock” dhe “Global Infrastructure Partners” me seli në Shtetet e Bashkuara dhe “Terminal Investment Limited” me seli në Zvicër, do të marrë në pronësi 90% të interesave të firmës “Panama Ports Company”, e cila zotëron dhe operon portet ‘Balboa’ dhe ‘Cristobal’ në Panama, sipas dokumentacionit të paraqitur në zyrat përkatëse.

Në muajin janar, Senatori Ted Cruz, kryetar i Komisionit të Senatit për Tregtinë, Shkencën dhe Transportin, ngriti shqetësimet se Kina mund të shfrytëzojë ose bllokojë kalimin përmes kanalit dhe se portet “i japin Kinës një pozitë të favorshme” për të ndërmarrë veprime.

“Situata paraqet rreziqe akute për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, tha republikani Cruz.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, vizitoi Panamanë në fillim të shkurtit duke paralajmëruar Presidentin Jose Raul Mulino se Panamaja duhet të zvogëlojë ndikimin kinez ose të përballet me veprime të mundshme nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti Mulino hodhi poshtë idenë se Kina kishte ndonjë kontroll mbi operacionet e kanalit.

Pas vizitës së shefit të diplomacisë amerikane, Panamaja u tërhoq nga nisma kineze “Një Brez një Rrugë” duke shkaktuar reagime të ashpra nga Pekini./voa

Artikulli paraprakNumërohen rreth 80% e votave me kusht në Kosovë, kryeson Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit
Artikulli tjetërRaporti i Eurostat: Punonjësit shqiptarë kanë pagat më të ulëta për orë në Europë