Ministria e Ekonomisë rishpalli garën për dhënien me koncesion të zonës teknologjike të Spitallës edhe pse tenderi ka dështuar tre herë radhazi. Sipas njoftimit që ka bërë Ministria e Ekonomisë dorëzimi i ofertave do të bëhet më 28 prill. Objekti i kontratës do të jetë ndërtimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe operimi i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Spitallë, Durrës, për një periudhë 99-vjeçare. Zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik shtrihet në afërsi me Portin e Durrësit, më të madhin dhe më të rëndësishmin në Shqipëri, pranë qytetit të dytë për nga zhvillimi ekonomik në Shqipëri, Durrësit, vetëm 30 km larg aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 37 km nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Vlera e kërkuar e sigurimit të ofertës është 15,000,000 lekë (pesëmbëdhjetë milionë). Në kriteret e përzgjedhjes së fituesit, propozimi teknik për ndërtimin e zonës vlerësohet me 25 pikë, ndikimi mjedisor 10 pikë, ndikimi social 15 pikë, koha e përfundimit të investimit 10 pikë dhe kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) me 40 pikë. Edhe pse përpjekjet e qeverisë kanë dështuar për të zhvilluar parkun e vetëm teknologjik në vend, nuk është bërë asnjë ndryshim për të ridimensionuar projektin në mënyrë që të tërhiqen investitorët. Vetëm në tenderin e dytë që u bë në prill të vitit të kaluar, Ministria e ekonomisë ka rrudhur sipërfaqen në 101 hektare, nga rreth 500 hektarë që ishin në tenderin e parë. Përpjekjet fillestare më 2015 për dhënien e 500 hektarëve në Spitallë, një zonë afër Durrësit, kanë dështuar, për shkak se interesi i kompanive kineze, “Zhejiang Haiteng investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co, ka shfaqur mangësi. Shqipëria është i vetmi vend në Rajon që nuk po zhvillon një zonë industriale, ndërsa investitorët e huaj e kanë cilësuar këtë një faktor pengues për të ushtruar aktivitet në Shqipëri. Aktualisht Spitalla është në kushtet më të mira për të funksionuar në shërbim të bizneseve, për shkak se është e pajisur me infrastrukturë si rrugë, energji dhe ujësjellës. Mirëpo ndër vite janë bërë ndërtime pa leje, të cilat duket se kanë qenë edhe pengesa kryesore për ta shndërruar atë në zonë industriale.
Kryesore
Continue to the categoryMë të refuzuarit në kufijtë e BE në 2024, ja ku...
Shqiptarët janë të dytët më të refuzuarit në kufijtë e Bashkimit Europian, pas ukrainasve (19 595). Në total në kufijtë tokësor, ajror dhe detar...