“Pas tre vitesh erdhën te qëndrimet e mia për Amerikën”, Basha: SHBA nuk janë një ‘kooperativë bujqësore’, janë aleati ynë më i madh

Në emisionin “Të Paekspozuarit”, drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, deklaroi se qëndron fuqishëm në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar si aleatin më të rëndësishëm të shqiptarëve kudo që ndodhen. Ai u shpreh krenar për vendimin e tij ndaj Berishës duke theksuar se partneriteti me SHBA-të duhet të mbetet i pacenuar.

Basha tha se Koalicioni Euroatlantik bashkë me SHBA do të vazhdojë të mbështesë SPAK-un dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë.

“Unë zgjedh SHBA-të, se ndryshe nga çfarë na e paraqitën komunistët e vjetër shqiptarë, unë kurrë nuk mendoj se SHBA-të janë “një kooperativ bujqësore e nivelit të tretë”. Por janë një shtet më i konsoliduar në mënyrën se si i merr vendimet. Unë i kam mbështetur dhe i mbështes edhe sot SHBA-të. Nuk është në dorën time se çfarë vendimi marrin SHBA-të në raport me zotin Berisha, në raport me zotin Rama. As nuk është në dorën time nëse ky vendim është marrë apo nuk është marrë nga një administratë apo nga një administratë tjetër, për mua dhe për njerëzit që mendojnë si unë, e rëndësishme është partneriteti me SHBA-të të mbetet i pacenuar. Dhe për këtë do të rikthej në vëmendje një deklaratë të një shtetare europiane, që shumë e mbajnë më të kuotuarën në Europë, kryeministres Xhorxha Meloni, e cila dy javë më parë, të premten e ka deklaruar dhe ishte kryetitull në çdo gazetë Europiane, ndoshta disave u bënte keq në sy, thoshte: “Italia nuk ka aleat më të rëndësishëm dhe nuk do të ketë kurrë aleat më të rëndësishëm se SHBA-të”.

Kur Italia thotë kështu, Gjermania po kështu, këto vende nuk kanë hesap, as nuk mund ta mendojnë që të kenë një aleat tjetër. Shqiptarët e dinë nga Shqipëria në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, kudo ku janë, ne nuk kemi mik më të ngusht se SHBA-të. Këtë thotë Xhorxha Meloni, këtë thotë Boris Jonson, këtë thotë Starmer, këtë thotë çdo kryeministër europian. Gomarlliqet që ne do të përballemi me SHBA-të për fatin personal të kujtdo qoftë, shitjani dikujt tjetër. Kam marrë vendimin e duhur dhe jam krenar.

Ne do të përshpejtojmë procesin e anëtarësimit në BE, sepse SHBA-të ndryshe nga ç’fërkoi duart Edi Rama, nuk janë larguar nga SPAK-u, janë aty dhe do të mbështesin SPAK-un për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë” – tha Basha.

Exit mobile version