Pas UEFA-s, Kosova do të jetë edhe pjesë e FIFA-s

Republika e Kosovës është anëtarja e 55-të e Bashkimit të Futbollit Evropian, UEFA. Kongresi i UEFA-s votoi me një shumicë të vogël votash pro një lutjeje përkatëse të shoqatës kosovare të futbollit. 28 anëtarë të UEFA-s ishin pro, 24 kundër. Dy vota qenë të pavlefshme. “Jam shumë i prekur. Ju falenderoj para së gjithash në emër të lojtarëve të rinj të vendit tim për këtë vendim. Kjo është një ditë historike për ne”, tha Fadil Vokrri, President i Federatës së Futbollit të Kosovës, FFK.
Niersbach:”Një vendim tepër politik”
Kosova e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe ndërkohë, shtetin me 1,8 milionë banorë e kanë njohur 111 shtete. “Vendimi do të jetë i ngushtë”, tha ish-Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit Wolfgang Niersbach para votimit, veç kësaj do të jetë “një vendim tepër politik”. Tomislav Karaxhiç, shef i Federatës Serbe të Futbollit u pozicionua para votimit, siç pritej, kundër pranimit të Kosovës: “Kufijtë e vendit nuk lejohet të ndryshojnë. Një republikë e vetëshpallur nuk duhet të marrë leje që të bëhet anëtare e UEFA-s”.
Pas suksesit në UEFA, Federata Kosovare mund të bëhet anëtare e FIFA-s që javën e ardhshme, në 12 dhe 13 maj në Meksikë. Kosovarët shpresojnë të lejohen të zhvillojnë me vonesë ndeshjet për kualifikim në Kampionatin Botëror të Futbollit në vitin 2018 në Rusi.
Në mesazhin e tij përshëndetës drejtuar delegatëve të UEFA-s, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino u bëri thirrje të 54 federatave evropiane të futbollit që të bëjnë pagesa solidariteti për vendet më të varfëra. Para zgjedhjes së tij si funksionari më i lartë i futbollit në botë, Infantino i premtoi secilit prej të 209-të anëtarëve të FIFA-s një lloj pagese shpërblim prej pesë milionë dollarësh. “Ju keni mundësinë të merrni shumë më tepër para”, u tha zvicerani delegatëve të UEFA-s. “Kur nuk keni nevojë për të gjitha paratë, që ju jep FIFA, jepjuani shoqatave të tjera në botë. Atëherë ne mund të ndërtojmë një FIFA tjetër, një FIFA të solidaritetit”.
Vakumi në drejtimin e UEFA-s për shkak të bllokimit të Presidentit të deritashëm Michel Platini mbizotëroi në diskutimet në kongresin në Budapest. “Shpresoj dhe dëshiroj që Misheli pas pak ditësh të jetë sërish pranë nesh”, tha zëvendësi i UEFA-s, Anger Maria Villar Llona nga Spanja. Gjykata Ndërkombëtare e Sportit (CAS) do ta shpallë vendimin më e vonta në nëntë maj. Platini u bllokua për gjashtë vjet së bashku me ish-shefin e FIFA-s, Joseph Blatter, për shkak të një pagese të dyshimtë prej 1,8 milionë eurosh. Nëse ai nuk do të shpallet i pafajshëm, siç presin shumë ekspertë, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mblidhet në 18 maj në Basel në një mbledhje krizë – më pak se tri javë prej fillimit të Kampionatit Evropian të Futbollit në Paris.

Exit mobile version