Pas urdhrit të Ramës, policia e armatosur në fushatë për PS

Thirrja e Edi Ramës për të përfshirë forcat e policisë në fushatë duket se i ka dhënë efektet e saj. Ditën e djeshme në Qarkun e Dibrës është arrestuar një polic i Portit Durrës dhe është shkarkuar nga detyra një efektiv i Gardës, pasi janë konfliktuar me anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike. Demir Deda, punonjës policie në Portin e Durrësit dhe Florian Lala, punonjës në Gardën e Republikës, në orët e para të mëngjesit të djeshëm sipas policisë janë konfliktuar në fshatin Ushtelenxë dhe kanë ushtruar presion mbi anëtarët e Partisë Demokratike në këtë qark. Vetëm disa ditë më parë ishte vetë Edi Rama që i bëri thirrje forcave policore që pasi të kenë mbaruar shërbimin të marrin pjesë në fushatë elektorale, thirrje kjo antikushtetuese pasi policia është e depolitizuar.

Arrestimi

Blutë kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë shmangur incidentin, i cili mund të përshkallëzohej dhe më shumë. Kjo për arsye se gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tyre njërit prej personave i është gjetur dhe arma e shërbimit. Demir Deda është munduar të justifikohej me faktin që pistoleta ka qenë me leje, por sërish është vënë nën akuzë për shpërdorim të autoritetit policor, ndërsa punonjësi i Gardës, Fatmir Lala (i afërm i Ymer Lalës) është shkarkuar. Në Prokurori, sipas burimeve nga Ministria e Brendshme janë referuar material dhe për tri persona të tjerë, për shkelje të ligjit elektoral, por nuk jepen detaje të mëtejshme. Rasti i djeshëm tregon dhe një herë se sërish jemi para një precedenti të rrezikshëm, por këtë herë është bërë me lejen e kryeministrit. Në krye të listës në këtë qark për PDIU qëndron Reme Lala, e cila në CV shprehet se s’ka mbushur ende 22 vjeç dhe vazhdon studimet në vitin e tretë në një universitet privat. Në fakt, Reme Lala përveç se të qenit vajza e biznesmenit Ymer Lala duket se s’ka ndonjë meritë tjetër, por në CV e saj të dorëzuar në KQZ paraqitet me emrin Reme Korab Lala. Përpara se të shkelë në Parlament ta pyesë një herë të atin se përse ka ndërruar emrin. Ymer Lala është personi, i cili u tregua mjaft aktiv në manipulimin e votave në zgjedhjet e Dibrës, pas skandalit të Shukri Xhelilit atje dhe njeriu që mendohet se kontrollon Bashkinë e Dibrës. Në Qarkun e Dibrës, më shumë se për idealet çame të PDIU-së Ymer Lala njihet si një përkrahës i flaktë i Edi Ramës.

Manipulimet

Duket se falangat e Ramës në Dibër kërkojnë të rikthejnë dhe një herë në vëmendjen e publikut skenat e manipulimit të votave që ndodhën në vitin 2016 me zgjedhjet e pjesshme lokale. Jo më kot Rama ka vendosur në krye të listës simbolin e korrupsionit Ilir Beqaj, ndërsa në krah të tij qëndron Ymer Lala përgjegjës për këtë manipulim. Në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, u vu re pjesëmarrje e madhe e administratës në këtë qark, por që duket se edhe këtë herë ky fenomen nuk po shmanget. Përfshirja e policisë në fushatë është më e rënda që mund t’i ndodhë zgjedhjeve. Në krye të policisë së këtij qarku vazhdon të qëndrojë Edmond Tarkaj, i emëruar në këtë post nga Saimir Tahiri që nga viti 2015. Në fakt ky ka qenë në këtë detyrë dhe kur ndodhën manipulimet e vitit 2016-të, por dhe kur e gjithë Dibra u mbush me plantacione të tëra kanabisi. Burime nga Qarku i Dibrës shprehen se efektivi i policisë dhe ai i Gardës kishin ditë që bënin fushatë në fshatrat e Dibrës në mbështetje të vajzës së biznesmenit, përkrahës i flaktë i Ramës. Pavarësisht retorikës së kryeministrit, Ymer Lala është parë gjithmonë nën shoqërinë e Ramës sa herë ky i fundit ka shkuar në Dibër.

Ministri Demiraj drejt Dibrës, paralajmëron drejtorin e emëruar nga Saimir Tahiri

Me të marrë njoftimin është nisur drejt Dibrës vetë ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj. Në njoftimin e policisë thuhet se veç të tjerave i është tërhequr vërejtje dhe drejtorit të policisë atje Edmond Tarkaj, i cili sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme nuk ka marrë masat e nevojshme për të ruajtur moscenimin e autoritetit të Policisë së Shtetit. “Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj, në vijim të masave të marra për ngjarjen e mëngjesit të ditës së djeshme në Dibër i ka kërkuar Komandantit të Gardës së Republikës, shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të Florian Fatbardh Lala, punonjës i Gardës së Republikës. Efektivi i Gardës së Republikës në shkelje të statusit të tij dhe nenit 332/a të Kodit Penal, ‘Shpërdorimi i autoritetit policor’ ka marrë pjesë aktive në fushatën elektorale të një subjekti politik, më konkretisht Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet në Qarkun e Dibrës. Efektivi Florian Fatbardh Lala është liruar menjëherë nga detyra. Ministri Demiraj ka ndjekur nga afër operacionin e Policisë së Shtetit dhe SHÇBA-së për arrestimin në flagrancë të shtetasit Demir Deda, punonjës policie në Durrës, i cili ishte i përfshirë në fushatën elektorale të subjektit politik, PDIU, në Dibër duke shkaktuar incidente me subjekte të tjera politike. Ministri Demiraj inkurajon strukturat e Policisë së Shtetit për të mos lejuar asnjë shkelje të ligjit pa marrë përgjigjen e merituar. Ministri Dritan Demiraj i tërheq vëmendjen drejtorit vendor të Policisë në Qarkun Dibër, i cili nuk ka marrë masat e nevojshme duke cenuar besueshmërinë e punës së Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm, z. Dritan Demiraj u bën thirrje të gjithë subjekteve politike të shmangin incidentet, të respektojnë ligjin duke mos angazhuar në fushatë persona, të cilëve iu ndalohet një aktivitet i tillë dhe të mbajnë larg aktivitetit elektoral persona me rekorde kriminale, pasi do të ketë tolerancë zero”, thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga Ministria e Brendshme.

Artikulli paraprakSevilla kërkon përforcime
Artikulli tjetërBlerja e votave, Olsi Rama në terren me Tom Doshin