Pas Velipojës dhe Drimadhës, ka plasur konflikti dhe përplasja për shezlongjet e plazhit ka ndodhur sot edhe në Ksamil. Pronari i një hoteli të njohur, Albert Sula është përplasur me punonjësit e policisë, të cilët kanë shkuar t’i heqin çadrat.
Ai rrëfen se atë pjesë plazhi e shfrytëzon prej 15 vitesh, ndërsa sivjet ia kanë dhënë pa asnjë kriter një punonjësi policie.
Problemet me ndarjen e hapësirave në plazh janë shfaqur dhe në Ksamil vetëm një ditë pas përplasjes në Velipojë.
Në një prej plazheve më të populluara, madje edhe me shumë pushues, policia bashkiake e mbështetur nga ajo e rendit ka hequr disa shezlongë, të cilat poseduesi i ka me dokumente të rregullta në bazë të territorit që menaxhonte prej vitesh.
Investitori i hapësirës së plazhit prej 15 vitesh, Albert Sula, shpreh shqetësimin për pjesën e plazhit, duke u shprehur se hapësirën e shfrytëzuar prej tij, ia kanë dhënë një punonjësi policie.
Ai vë në dukje se punonjësi i policisë nuk plotëson asnjë kriter, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Bregdetit nuk i ka dhënë zgjidhje.
Kjo ka shkaktuar përplasje të pronarit, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima, ndonëse kjo ka ndikuar negativisht te pushuesit, të cilët menjëherë kanë braktisur plazhin, duke u larguar drejt zonave të tjera.