Pas Vlorës, zbulohen parcelat me kanabis edhe në fshatin e Tahirit, Gusmarë

Pas zbulimit të paracelave me kanabis në Vlorë, sot është zbuluar një parcelë me lëndë narkotike edhe në fshatin Gusmarë të Tepelenës, fshat i cili është edhe origjina e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Droga ishte mbjellë në vendin e quajtur “Përroi i Kozicës”. Policia thotë se e asgjësoi lëndën narkotike, si dhe kallëzoi në Prokurorinë e Gjirokastrës 30-vjeçarin E. K., me detyrë kryeplak i fshatit Gusmar.
Historia e parcelave me kanabis nuk është mbyllur plotësisht në Shqipëri, ndonëse qeveria trumbeton të kundërtën. Një ditë më parë u zbuluan qindra rrënjë në Delvinë dhe Vlorë.
Kultivimi i kanabisit vazhdon nga Vlora në Tepelenë nën hundën e Policisë. Në zonat pyjore të Poros dhe Akërnisë në Vlorë janë zbuluar disa parcela me kanabis, ndërsa policia ka shoqëruar disa barinj të zonës, por kultivuesit nuk i ka zbuluar ende.
Gropa e ujit që shërbente për të vaditur parcelën dhe disa bimë kanë mbetur ende atje, edhe pas operacionit të policisë për asgjësim. Janë 11 stane në këtë pyll dhe barinjtë thonë se nuk mund të mbajnë përgjegjësi se çfarë ndodh jashtë kullotave të tyre.
Namik Mehmeti qëndroi disa orë në qeli, kur i kërkuan të paraqitej me të bijtë. “Aq më tepër që fillimisht ne kemi firmosur në polici për truallin që disponojnë dhe mbajmë garanci për kullotat që ne kemi në administrim. Se çfarë bëhet jashtë kullotave tona nuk është përgjegjësia jonë”, tregon Namik Mehmeti.

Exit mobile version