Nuk ndalet krimi në të gjithë vendin. Pas vrasjes së djeshme, një 37-vjeçar u plagos në Tiranë. Ai ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë, policia bëri të ditur se ka arrestuar autorin.
NJOFTIMI
Nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas, tek shinat e trenit, rreth orës 20:05 të mbrëmjes së datës 20.01.2020, për motive të dobëta ka goditur disa herë me një mjet shpues e prerës shtetasin I. Z., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe pas rreth dy orë kërkimesh dhe kontrollesh në zonë, bënë të mundur gjetjen, kapjen dhe arrestimin e 19-vjeçarit.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën “Plagosja e rëndë me dashje”.