Pas zgjedhjeve në veri, KFOR bën thirrje për përmbajtje nga retorika eskaluese mes Kosovës dhe Serbisë

Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë bërë thirrje për shmangie të “veprimeve dhe retorikës eskaluese”, mes Kosovës dhe Serbisë

Ky mision vlerësoi se zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe kaluan pa incidente.

“Gjatë gjithë kohës, KFOR-i ka qëndruar në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e interesit ka monitoruar situatën në terren”, thuhet në një deklaratë në lidhje me zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore.

Këto zgjedhje u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe dhe dalja në to, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ishte vetëm 3.47 për qind.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet tutje në deklaratën e KFOR-it.
Sipas rezultateve preliminare, garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, e fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkaq në Zveçan dhe Zubin Potok fituan ata të Partisë Demokratike të Kosovës.

Nga dhjetë kandidatë, vetëm një ishte nga komuniteti serb.

Më parë këto komuna janë udhëhequr nga anëtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, e cila kësaj here i bojkotoi zgjedhjet.

Artikulli paraprakKryetari i PD Delvinë i përgjigjet Berishës: Gjithmonë me PD përsa kohë kjo forcë nuk i shpall luftë Zotit
Artikulli tjetërJo vetëm Skriniar, PSG “bastis” Interin, synon edhe një tjetër futbollist të zikaltërve