Pasi nuk ia doli ta trysnojë, qeveria i vështirëson punën SPAK-ut, duke mos e mbështetur financiarisht

Nga Namir Lapardhaja

Ndërkohë që vijojnë teatrin parlamentar dhe gjasme ‘luftën’ pozitë-opozitë, është e qartë se qeveria Rama është po aq e interesuar për ta goditur Prokurorinë e Posaçme sa Berisha dhe Meta.
Në mos më shumë, për arsyen se dy të parët janë njohur me akuzat dhe me çështjet për të cilat po hetohen, ndërsa frika nga e panjohura për Edi Ramën, familjarët dhe rrethin e tij të ngushtë të interesave, është më e madhe.
Një ndër mënyrat që qeveria Rama përdor për të sabotuar dhe vështirësuar punën e SPAK-ut, është reduktimi i mbështetjes financiare.

Sipas deklaratave të zyrtarëve të Prokurorisë së Posaçme, këtë vit në buxhetin e shtetit për këtë institucion janë dhënë 1 milion euro më pak se një vit më parë, ndërkohë që vazhdimisht SPAK ka kërkuar mbështetje financiare.
Është e qartë se sa më shumë kohë kalon, aq më tepër politika mundohet t’ia vështirësojë punën institucionit të akuzës së Peshqëve të Mëdhenj.

Herë nëpërmjet Komisionit “Xhafaj”, herë duke bashkëpunuar për të liruar të hetuarit dhe dënuarit e SPAK për korrupsion (në bashkëpunim me Berishën dhe eunukët e tij), herë të tjera duke bërë gjithçka për të mbajtur në fushën e lojës hallexhinj të SPAK-ut si Berisha dhe Meta. Nga një anë, Rama e mbështet publikisht – në fakt, duke i dhënë ‘argument’ objekteve të Prokurorisë, që institucioni kontrollohet nga qeveria – ndërsa, nga ana tjetër, i alokon 1 milion euro më pak se viti i kaluar.

Gjithsesi, jemi mirë përsa kohë çdo goditje dhe çdo arritje e SPAK-ut nuk përshëndetet nga opozita e Berishës, e cila duhet ta shndëronte në kapital elektoral goditjen ndaj qeverisë, mirëpo ky nuk është rasti i Shqipërisë.

I vetmi përjashtim në politikën shqiptare, është Lulzim Basha dhe PD-Euroatlantike, e cila, nëpërmjet amendamenteve ligjore dhe propozimeve konkrete, ka kërkuar rritjen dhe mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Prokurorisë së Posaçme, propozime të cilat jo vetëm kanë rënë të vesh të shurdhët, por mbahen qëllimisht sirtareve të Kuvendit, sepse mazhorancës i vjen për shtat teatri i gjasme-opozitës dhe jo propozimet konkrete që do shkonin në përmirësimin edhe më tej të institucionit të akuzës.

Exit mobile version