Pasi u zbyth nga shantazhi i italianëve për një “Non Grata” të re, Berisha kopjon Bashën për marrëveshjen Meloni-Rama

Ditën e sotme, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp ka thënë se do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e Edi Ramës me kryeministren italiane përsa i përket ngritjes së kampit të emigrantëve në Shëngjin dhe në Gjadër.

Të njëjtën gjë ka përsëritur pas tij edhe beniamini i tij më i ri, Gazment Bardhi, i cili, në dallim nga Berisha, ka folur edhe për disa deputetë brenda grupit që nuk e donin një gjë të tillë.

Mirëpo, për një vendim të tillë, duket se kanë kopjuar ekzaktësisht nga Lulzim Basha, i cili më datën 7 nëntor, pasi ka depuzituar kërkesë për interpelancë urgjente me Edi Ramën në Kuvend, është shprehur se këtë çështje do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese për ta interpretuar në bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

 

Reagimi i plotë i kreut të PD-së, Lulzim Basha, në 7 nëntor 2023:

“Sot Partia Demokratike ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë me zotin Rama, për të shpjeguar para shqiptarëve këtë rrufe në qiell të hapur. S’ka pasur asnjë indikacion, asnjë tregues, që tregon se Shqipëria përmes qeverisë së saj, ishte e gatshme të merrte refugjatë të paligjshëm në territorin e vet. Përkundrazi, ka reagime publike të zotit Rama që në Shqipëri nuk do të ketë kampe refugjatësh, dhe papritur kemi këtë angazhim i cili merret në titull personal, pa asnjë debat publik, pa asnjë diskutim me qytetarët, pa snjë diskutim me përfaqësuesit e qytetarëve në parlamentin e Shqipërisë. Interpelanca ka për qëllim të ofrojë transparencë, çfarë po bëhet, me çfarë kushtesh po kërkohet të merren këto njerëz, çfarë kushtesh ofron Shqipëria, pse po bëhet kjo?Por e gjitha ka një kontekst shumë të dhimbshëm, ndërkohë që shqiptarët largohen, ndërkohë që kjo qeveri përzë shqiptarët, nga ana tjetër po kërkon të mbush vendin, apo të mbush kampet me emigrantë të paligjshëm. Në një vend ku sundimi i ligjit është problematik dhe ku prania e emigrantëve të paligjshëm mund të kthehet në një burim rreziku për interesat e qytetarëve shqiptarë, e më tej burim rreziku për emigracionin e paligjshëm drejt Bashkimit Europian. Nuk do të mjaftohemi vetëm me interpelanca, ndërkohe që do marrim informacionin e nevojshëm, do të përgatisim që këtë çështje ta dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Askush nuk mund të marrë vendime të tilla, pa u konsultuar me shqiptarët, qoftë përmes institucioneve, por pse jo edhe përmes referendumeve”

Është hera e disatë që “Rithemelimi” i Berishës, në kushtet e një bllokadë të plotë nga faktori ndërkombëtar, detyrohet të marrë dhe artikulojë tezat e Lulzim Bashës.

Artikulli paraprakShefi i logjistikës së NATO-s: Po na mbaron koha
Artikulli tjetërAzgan Haklaj: Erzen Breçani, krah i djathtë i Berishës e Metës