Pasiguria nga krimi, Kryemadhi paralajmëron qytetarët: Kur të shkoni në Bllok vishni antiplumb

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka paralajmëruar të gjithë ata që frekuentojnë zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Nga një takim i LSI-së me simpatizantët në qytetin e Beratit, Kryemadhi foli për gjendjen e rënduar në vend, e duke iu referuar krimit të dy netëve më parë, tha se ata që pinë një kafe apo një ujë në Bllok duhet të marrin një jelek antiplumb.
“Kur pini kafe apo një ujë në Bllok mos harroni të merrni me vete jelek antiplumb. 100 metra larg zyrës së kreut të parlamentit ndodh një luftë bandash. Mund të përmendim raste pafund, raste të pazbuluara apo mijëra raste kur kriminelët janë të identifikuar por nuk ndalohen.
Folën për reformë, por kjo reformë jo vetëm që u kap nga Edi Rama por po përdoret si mundësi për të mbuluar krimin e organizuar”, deklaroi Kryemadhi.
Kryemadhi u shpreh gjatë takimit me strukturat e LSI-së në Berat se, shumë socialsitë janë zhgënjyer nga kryeministri Edi Rama dhe LSI-së duhet t’u japë atyre hapësirën e tyre, t’i mirëpresë.
“Uu bëj thirrje strukturave të LSI të krijojnë hapësirën për këta njerëz të PS-së që do të vijnë drejt nesh, që të japim një realitet tjetër më të mirë.
Mbledhjet e PS janë kthyer në beteja punësimesh, ku deputetët zihen, sepse strukturat drejtuese punësojnë vetëm kriminelë apo familjarë të të kërkuarve dhe jo të ndershëm.
Tani jemi në pozicione të tjera lufte ndaj Edi Ramës, luftë mbijetese për të ardhmen e fëmijëve shqiptarë. 85 % e shqiptarëve janë të zhgënjyer nga Edi Rama. E di çdo të thotë 85%? Revolucion!”, theksoi Kryemadhi.

Exit mobile version