Uashingtoni ka zier ditët e fundit nga përplasjet, akuzat e kundër-akuzat mes Presidentit Trump dhe disa ish-drejtuesve të lartë të shërbimeve të zbulimit. Në një bisedë me kolegen Ardita Dunellari, drejtori i ri i Muzeut Ndërkombëtar të Spiunazhit, thotë se institucioni që ai drejton luan një rol të rëndësishëm për të informuar publikun mbi punën e vështirë dhe me dedikim të agjencive të zbulimit për të garantuar sigurinë kombëtare. Kolonel Chris Costa mori drejtimin e muzeut pas një karriere të gjatë si oficer zbulimi në radhët e ushtrisë.Ai ruan një respekt të veçantë për kolegët dhe dedikimin e tyre dhe një dashuri të madhe për Shqipërinë që mban një vend unik në identitetin e tij:
Në një ditë të ngarkuar vere, kur muzeumet e Uashingtonit janë të mbushura me turistë vendas e të huaj, Muzeu Ndërkombëtar i Spiunazhit i hapi dyert para orëve zyrtare për t’i dhënë mundësi ekipit të Zërit të Amerikës të zhvillonte një vizitë private, me ciceron special drejtorin e muzeut, Kolonel Chris Costa. Turneu shoqërohet edhe me rrefëme mbi një episod komik nga puna e tij në zbulim:
“Për herë të parë që po veproja në terren i maskuar, kisha vënë mustaqe fallso. Nuk dua të jap shumë hollësi, por më ofruan një akullore. Nuk e di kujt mund t’i ketë rënë rasti të hajë akullore kur ka vënë mustaqe fallso. Isha i tmerruar se do të më binin mustaqet”.
Është një privilegj i veçantë të dëgjosh shpjegime mbi misteret e kësaj bote të fshehtë nga një profesionist i fushës. Koloneli Costa sapo ka përmbyllur një karrierë mbi 30 vjeçare në strukturat e zbulimit të ushtrisë dhe më pas si Asistent Special i Presidentit dhe Drejtorit për Anti-terrorizmin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në administratën Trump.
Tranzicioni nga jeta si ushtarak në strukturat e zbulimit tek roli i drejtuesit në një prej institucioneve kulturore të Uashingtonit nuk ishte e lehtë, tregon koloneli, por gradualisht ai zbuloi një mision të ri në këtë detyrë:
“U shndërrua në katarzë, në një mundësi fantastike për të rrëfyer historinë time në mënyrë të përgjegjshme, për t’u angazhuar në dialog me publikun, për t’i treguar në një farë mënyre familjes se çfarë kisha bërë gjatë karrierës”.
Ai e quan një dhuratë të mirëpritur ofertën për këtë post, ku ai ka mundësinë për të informuar publikun për kontributin që japin kolegët që punojnë në fshehtësi të plotë, pa mirënjohjen dhe pa dijeninë e kombit të cilit i shërbejnë.
“Pikësëpari është privilegj që punoj këtu; që në një mënyrë simbolizoj njerëzit që punojnë në hije e anonimitet. Njerëzit më thonë se nuk kam pse shqetësohem, nuk më është vënë kush prapa me pushkë. Por të mos harrojmë. Në këtë mision nuk lejohen gabime. Unë duhet të përfaqësoj njerëz që nuk flasin dot publikisht për të shpjeguar apo mbrojtur punën që bëjnë”.
Është një periudhë e shoqëruar me interesim të shtuar për shërbimet e zbulimit. Presidenti Trump ka vënë në pikëpyetje disa herë rezultatet e punës së këtyre shërbimeve në lidhje me hetimet mbi Rusinë, pasur nga një deklaratë ku presidenti tërhiqte komentet e më parshme. Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe ish-drejtues të lartë të strukturave të zbulimit janë mbërthyer ditët e fundit në një duel fjalësh me ofeza e akuza të ndërsjellta. Kolonel Costa shprehet se arma më e mirë në çdo debat është objektiviteti:
“Njerëzit kanë të drejtën e fjalës kur largohen nga qeveria. Roli im është të jem objektiv, ashtu siç më kërkohej të isha edhe në detyrën e një oficeri zbulimi. Duhet të jem objektiv, të bazohem tek faktet. Të tjerët le të flasin. Ne do të ofrojmë faktet. Njerëzit mund të vijnë në muzeum, të shohin ekspozitat. Historia do t’i ndihmojë të konceptualizojnë ngjarjet”.
Koloneli flet me respekt dhe krenari të dukshme për punën e shërbimeve të zbulimit ku ka shpenzuar pjesën më të madhe të jetës. Interesi për këtë fushë i lindi që në fëmijëri, tregon ai:
“Në 1972, kur po ndiqja Olimpiket e Mynihut dhe sulmin terrorist, më lindi dëshira. Doja gjithashtu të ndiqja në gjurmët e babait. Ai ishte oficer i Marinës Amerikane. Unë u bëra oficer për zbulimin në radhët e ushtrisë amerikane”.
Nga familja ai ka marrë më tepër se një prirje në karrierë dhe dedikimin si ushtarak amerikan.
“Si vete … Mirëmbrëma,” thotë zoti Costa në shqip.
Koloneli është brezi i tretë i një familjeje emigrante nga Shqipëria.
“Gjyshërit e mi, të dy u lindën në Shqipëri dhe i sollën prindërit e tyre këtu, mbërritën në Ellis Island. Këtu gjetën Ëndrrën Amerikane. Krijuan familje. Unë jetoj me trashëgiminë që më lanë. Janë shumë krenar për prejardhjen shqiptare. Prindërit e babait ishin nga Vithkuqi, pranë Korçës, ndërsa prindërit e nënës ishin nga Berati. Pata shansin që në fillim të viteve 1990 të ecja nëpër të njëjtat rrugë në fshatrat nga kishin ardhur ata. Ishte e mrekullueshme”.
Gjyshërit, tregon kolonel Costa, i rritën fëmijët me një ndjenjë të fortë të identitetit shqiptar. Prindërit e tij, megjithëse të lindur në Shtetet e Bashkuara ishin jo vetëm të vetëdijshëm dhe krenarë për origjinën, por edhe aktivë në komunitet përmes Organizatës Kombëtare, Shqiptaro-Amerikane ku edhe u prezantuan gjatë një mbrëmjeje festive:
“Një djalë i ri, i pashëm, oficer në Marinën Amerikane, prezantohet me një vajzë bukuroshe nga Filadelfia. Përfundimin e takimit, e dimë tani”.
Koloneli kujton një moment të bukur nga kontaktet e tij me shqiptarë gjatë shërbimit si oficer:
“Historia ime e preferuar… pas një operacioni të sukseshëm anti-terrorist në Afganistan rastisa në disa ushtarë shqiptarë në një bazë ushtarake. Vendosa të kaloj pak kohë me ta. Shkuam për kafe. Nuk më linin të paguaja. Qeshëm, shkëmbyem histori. U tregova se nga e ka origjinën familja ime. Më mbetën sytë tek emblema me shqiponën dy-krenare që kishte njëri prej tyre në uniformë. Ai e shkuli nga uniforma dhe ma dhuroi”.
Këto janë ditë të ngarkuara për drejtorin dhe stafin e këtij institucioni. Vitin e ardhshëm Muzeu Ndërkombëtar i Spiunazhit do të zhvendoset në një ndërtesë të re, moderne, me një koleksion të zgjeruar muzeal. Drejtori na fton të ndjekim ceremoninë e inaugurimit në 2019, ku ai premton të rrëfejë një histori interesante mbi lidhjen e karrierës së tij në radhët e ushtrisë me Marinën, ku ka shërbyer i ati si oficer.
“VOA”