Paskal Milo: Interesa të dyshimta pas ligjit të plehrave

Një nga aleatët e Ramës ka dalë kundër këtij të fundit në lidhje me ligjin e mbetjeve duke iu bashkuar zërit të qytetarëve.
-Si e gjykoni ju rikthimin e ligjit për importin e mbetjeve nga qeveria “Rama”, e cila tre vite më parë e kishte anuluar atë?
Unë e kam ndjekur me vëmendje të gjithë debatin që është zhvilluar këto kohët e fundit për miratimin e ligjit “Për Mbetjet”, siç është pagëzuar tani ligji i vjetër. Përjashto debatin e mirëfilltë që bëhet në Parlament, unë bashkohem me shqetësimin qytetar që është shprehur me kaq forcë ditët e fundit. Këtu nuk është fjala për njerëz që nuk janë të informuar e as për njerëz që nuk i kuptojnë proceset. Do të ishte naivitet për të mos thënë diçka më tepër që pushteti të akuzojë përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe mbrojtës tashmë të konfirmuar të mjedisit dhe specialistë. Për mua ka një mungesë transparence në veprimet e qeverisë me këtë ligj dhe kjo mungesë transparence ka bërë që në mendjen e qytetarëve, nuk dua të flas për reagimin e opozitës, por të njerëzve të thjeshtë ka një shqetësim. Qeveria nxitoi ta votonte këtë ligj pa sqaruar qytetarët, pa bërë një punë të kujdesshme për t’i bindur për të kundërtën e asaj, për të cilët ata kanë dalë në protestë. Pra, kjo ngarkon me shumë përgjegjësi qeverinë, e cila për më tepër duhej të argumentonte se çfarë ka ndryshuar në këto tre vjet që u desh sjellja sërish e një ligji, të cilin kur ajo ishte në opozitë e kundërshtoi fuqishëm dhe sa erdhi në pushtet e anuloi. Pra, argumentet se diçka ka ndryshuar, se janë krijuar rrethana të reja nuk kanë bazë të fuqishme për të argumentuar se ky ligj është i dobishëm. Para së gjithash, duhet sqaruar se për kë u bë ky ligj, u bë për të ruajtur mjedisin, apo për të plotësuar interesat e një grupi të caktuar apo industrie të caktuar prapa të cilës qëndrojnë njerëz. Cilët janë këta që qëndrojnë prapa industrisë së riciklimit të mbetjeve? A i di opinioni publik çfarë përfaqësojnë ata? Po ata që do t’i sjellin për të pastruar mbetjet e tyre, hauret e tyre, cilët janë? Qeveria para se të ndërmerrte këtë nismë të dyshimtë dhe të shpejtë duhej që të sqaronte opinionin publik shqiptar, jo me ato argumentet që duket që janë më tepër propagandë, por t’i sqaronte për problemet thelbësore, çfarë ka ndryshuar, pse është i dobishëm, kush qëndron mbrapa dhe cilat janë përfitimet. Kjo nuk duhet të bëhej në formën e një propagande blitzkrieg-u, por me durim dhe të sqaroheshin njerëzit. Fakti që u nxituan kaq shumë për ta miratuar sa më shpejt ligjin tregon se ka diçka që i ka nxitur të veprojnë kështu. Nuk janë thjesht ato shifrat që jepen se kaq do jenë përfitimet për një vit, se do shpëtojmë industrinë nga falimenti i tij.

-Ju thoni që pas kësaj qëndrojnë njerëz të dyshimtë?
Prapavijat e interesave ekonomike dhe fitimprurëse nuk kam si t’i di, por këtu fshihen shumë gjëra jo vetëm në këtë rast, por në shumë të tjera kur ndërmerren nisma ligjvënëse. Shpeshherë ato merren jo për interesin kombëtar, por për interesin e grupimeve dhe qarqeve të ngushta që shohin vetëm interesat e tyre dhe jo të shoqërisë.

Exit mobile version