Pasojat e “Brexit”

Mançester Junajtid ka fajësuar “Brexit” për rritjen në mënyrë të shpejtë të borxhit që ka klubi, i cili ka arritur në 409,3 milionë paund. Sipas të dhënave të klubit, të publikuar nga bursa e Nju Jorkut, ku kuotohet skuadra angleze, borxhi është rritur me 27,1%.
Në muajin nëntor, shifrat që regjistronte klubi ishin vetëm 338 milionë paund, një situatë e cila nuk duket se do të përmirësohet duke llogaritur rënien e paundit britanik dhe përforcimin e dollarit amerikan.
Në llogaritë e bëra publike dje edhe nga vetë klubi, si faktor për rritjen e borxhit, përfshihet edhe kthesa që mori Zhoze Murinjo për sa i përket Bastian Shvajnshtajger. Nëse pak muaj më parë ai nuk figuronte në llogari si aset i klubit, me kthimin e tij në radhët e skuadrës së parë, shtohet edhe fondi i pagave për këtë klub.
Drejtuesit e Mançester Junajtid bënë të ditur se, pavarësisht këtyre shifrave alarmuese, Mançester Junajtid pritej të gjeneronte të ardhura rekord për këtë sezon, por sigurisht më parë duhet të mbyllin sezonin me suksese. Nëse klubi nuk arrin të sigurojë një vend në katërshen që të çon në Ligën e Kampioneve, do të humbë rreth 20 milionë paund, ndërsa edhe kompania “Adidas”, do të ulë me 20% sponsorizimin vjetor, i cili aktualisht është 75 milionë paund.
Ndërkohë, futbolli anglez është vënë nën hijen e drogës. Në 4 vitet e fundit, 12 futbollistë kanë rezultuar pozitivë në 13 teste antidrogë të kryera, lajm që është publikuar nga tabloidi britanik “Daily Mail”, që mori shkas nga rasti i fundit i zbuluar, ai i Berahinos së Stoke City.
Gjithnjë sipas këtij tabloidi, këto raste janë spikatur për periudhën 2012-2016, me futbollistët që kanë rezultuar se kanë përdorur substanca të tilla si kokaina apo ekstazi. Për momentin, emrat e futbollistëve që kanë përdorur këto lloj drogash nuk dihen, pasi Federata Angleze preferon të tregohet e rezervuar në këtë pikë, me synimin që të ndihmojë këta lojtarë në rehabilitimin e tyre.
Rezultatet e zbuluara i referohen ditëve, kur lojtarët e përfshirë nuk kanë pasur ndeshje. Të dhënat flasin se në sezonin 2015/2016 kanë rezultuar 3 futbollistë pozitivë në testet antidroge, 6 në sezonin 2014/2015, 3 në 2013/2014 dhe 1 në 2012/2013.
Vlen të theksohet se Federata Angleze është i vetmi institucion futbolli që kryen kontrolle të tilla ndaj futbollistëve dhe mendohet se deri në vitin 2018, ajo do të arrijë në realizimin e 5000 testeve në sezon.

Artikulli paraprakLargohet Bartomeu! Barça drejt zgjedhjeve në 2018-ën
Artikulli tjetërTuchel në “pole” për stolin e Arsenalit