Të enjten, më 23 qershor, britanikët do të votojnë nëse vendi do të largohet apo do të qëndrojë në Bashkimin Evropian. Anketat më të fundit tregojnë se rezultati i referendumit do të jetë i ngushtë, ndërkohë që shumë votues janë ende të pavendosur. Vrasja e deputetes 41-vjeçare të Partisë Laburiste të opozitës, Jo Cox, e ka errësuar fushatën e referendumit britanik. Kryeministri britanik, David Cameron vazhdimisht ka theksuar rrezikun ekonomik që paraqet për Britaninë largimi nga BE-ja. Gjatë kësaj periudhe, shumë evropianë kanë shtyrë planet për t’u zhvendosur në Britani në kërkim të punësimit, në veçanti shtetasit polakë.
Mariusz Wozniak ka përqafuar mundësitë që ofron Britania. Ai erdhi nga Polonia rreth 18 vjet më parë dhe filloi punë fillimisht në një restorant fast-food. Më vonë ai u bë llogaritar dhe madje krijoi kompaninë e tij. Ai është tashmë pronari i një ndërtese dhe i tri bizneseve që kanë zyra aty.
“Jemi njerëz të ndershëm dhe punëtorë. Paguajmë shumë taksa”, thotë zoti Wozniak. Ai është një ndër 800 mijë polakët që jetojnë në Britani. Ndërsa pjesa më e madhe e debatit është fokusuar tek emigracioni, punëtorët polakë kanë frikë se nuk do të jenë më në gjendje të shkojnë në Britani nëse vendi largohet nga Bashkimi Evropian. Edhe ekonomistët thonë se Britania mund të përballet me vështirësi.
“Punëdhënësit në Britani kanë tërhequr gjithnjë nga ky segment njerëzish të talentuar nga Evropa. Nëse do të kufizohet ky burim punonjësish, atëherë do të ketë pasoja për ta. Punëdhënësit do të sforcohen për të punësuar njerëz”, thotë Mariano Mamertino, i firmës së punësimit “Indeed”.
Nëse Britania vendos të kufizojë ardhjen e punëtorëve nga vendet e BE-së, atëherë asaj do t’i duhet të shikojë tjetërkund për të plotësuar nevojat e tregut të punës. “Nuk e di kush do e përgatisë kafenë në Starbucks. Do të jetë e vështirë, pasi të ardhurit nga Polonia dhe vendet të tjera të Evropës Lindore, bëjnë punët që britanikët nuk i dëshirojnë. A keni hasur ndonjëherë ndonjë kamerier anglez?”, thotë zoti Wozniak.
Në qendrën komunitare polake, disa janë të shqetësuar.“Jam i shqetësuar për largimin e Britanisë pasi do të krijojë shumë të panjohura. Por, nuk kemi ç’bëjmë. Do të presim të shikojmë rezultatin”, thotë një emigrant polak. Komuniteti polak në Londër është i shqetësuar se Britania nuk do të mirëpresë më të ardhurit e rinj, të cilët aspirojnë të përjetojnë versionin britanik të ëndrrës amerikane.